VILNIUS – Tusk në favor të zgjidhjes evropiane për ndalimin e importit të grurit rus

by admin
Spread the love

VILNIUS, 4 mars /ATSH-DPA/- Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk është shprehur në favor të një zgjidhjeje pan-evropiane në diskutimin për një ndalim të mundshëm të importeve të grurit nga Rusia dhe Bjellorusia.

“Jam i bindur se një vendim i përbashkët evropian do të jetë shumë më efektiv sesa vendimet e vendeve individuale”, tha Tusk gjatë një vizite në Lituani.

“Ne si BE duhet të vendosim së bashku për sanksionet kundër produkteve bujqësore ruse dhe bjelloruse”, tha ai.

Tusk beson se sanksionet nuk janë të rëndësishme vetëm në funksion të luftës ruse kundër Ukrainës, por edhe për të mbrojtur tregjet bujqësore të Polonisë, Lituanisë dhe Evropës në tërësi.

“Këto tregje janë nën presion të madh për shkak të luftës dhe një nga detyrat kryesore është padyshim bllokimi i mundësisë së eksporteve nga Rusia dhe Bjellorusia drejt vendeve të treta”, tha ai pas një takimi me homologen e tij lituaneze, Ingrida Simonyte.

Kohët e fundit, Letonia u bë vendi i parë i BE-së që vendosi të ndalojë importin e grurit dhe produkteve të tjera bujqësore dhe ushqimore për kafshë nga Rusia dhe Bjellorusia.

Ka pasur thirrje për marrjen e masave të ngjashme në Lituani, veçanërisht nga fermerët protestues, ndërsa Ministria e Bujqësisë në Vilnius ka shpallur kontrolle ndaj importeve të grurit. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like