(VIDEO) Zaev: Politikanët janë më të arsyeshëm pas zgjedhjeve

by admin
Spread the love

Bisedimet për gjetjen e zgjidhjes me Bullgarinë do të vazhdojnë pas zgjedhjeve në të dyja vendet. Pas deklaratës së kryeministrit teknik bullgar Stefan Janev se pret një impuls të ri në bisedimet me Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjeve parlamentare në Bullgari, edhe kryeministri Zoran Zaev vlerëson se politikanët janë më të arsyeshëm dhe më të përgjegjshëm pas zgjedhjeve.

Zoran Zaev, Kryeministër
“Kur të përfundojnë zgjedhjet, të gjithë politikanët edhe tek ne por edhe në Bullgari dhe gjithandej do jenë më të arsyeshëm dhe më të përgjegjshëm sesa para zgjedhjeve. Me përfundimin e zgjedhjeve tek ne dhe në Bullgari, do të kemi një shans më të mirë dhe kjo është arsyeja e parë. Arsyeja e dytë është se në bisedime lëvizim në drejtim të mirë. Mirëkuptimi i ndërsjellë çdo ditë e më shumë është prezent në bisedime dhe besoj se përmes dialogut do të konfirmojmë fqinjësinë e mirë”.

Edhe presidenti Stevo Pendarovski vlerëson se bisedimet do të shkonin më lehtë me një qeveri politike me pushtet të plotë në Sofje. Në një intervistë dhënë gazetës greke “To Vima”, Pendarovski thotë se megjithatë Bullgaria duhet të respektojë identitetin maqedonas dhe t’i qaset kontestit si vend mik.

Stevo Pendarovski, President
“Zgjidhja në bisedimet me Bullgarinë duhet të jetë në pajtim me Marrëveshjen për miqësi dhe bashkëpunim mes dy vendeve dhe ta respekton të drejtën e vetëvendosjes së kombit tonë, si dhe identitetin kombëtar dhe gjuhën maqedonase. Shpresojmë se pas zgjedhjeve në Bullgari, do të vazhdojmë bisedimet me kryetarin e ri dhe qeverinë e re politike me pushtet të plotë”.

Zgjedhjet parlamentare në Bullgari do të mbahen më 14 nëntor. Ato vijnë si pasojë e rezultatit të ngushtë në zgjedhjet e kaluara, që pamundësoi formimin e një koalicioni stabil qeverisës. Tashmë më shumë se një vit, Bullgarinë e udhëheq një qeveri teknike. /SHENJA/

 

 

 

You may also like