(VIDEO) VMRO-ja mbështet rritjen e pagës minimale, propozon amendamente

by admin
Spread the love




Kreu i VMRO-së, Hristijan Mickoski ka konfirmuar se do të mbështesin vendimin e Qeverisë për rritjen e pagës minimale. Ai njoftoi se partia e tij do të propozojë amendament me të cilin do të kërkohet respektimi i marrëveshjeve kolektive kur do të paguhen pagat e të gjithë punonjësve në administratë.

“Të ketë më shumë për të gjithë dhe më pak për qeverinë e korruptuar për të vjedhë. Presim menjëherë rishqyrtim të buxhetit dhe rritjen e dotacioneve për komunat nga qeveria për të respektuar në përpikmëri të drejtat e të gjithë punëtorëve në arsim, çerdhe dhe administratë”, u deklaroi Mickoski.

Në anën tjetër, pas kësaj deklarate ka reaguar LSDM-ja. Partia në pushtet ia ka kujtuar Mickoskit se në kohën kur partia e tij qeveriste, punëtorët fitonin 8.900 denarë.

“VMRO-ja është kundër punëtorëve. Gruevski dhe Mickoski e promovonin vendin tonë si parajsë për fuqinë e lirë punëtore dhe sot Mickoski pa turp thotë se mbështesin pagën minimale”, vlerëson LSDM-ja.

Partia në pushtet thekson se ekonomistët e Mickoskit publikisht kundërshtojnë rritjen e pagës minimale dhe se Trajko Sllaveski dhe Danella Arsovska janë në frontin kundër rritjes së pagës minimale.

LSDM pretendon se gjatë 4 viteve VMRO-ja ka bllokuar të gjitha ligjet që ishin në interes të rritjes së të hyrave për qytetarët. Sipas partisë, VMRO-ja e bllokoi rritjen e pagave të mjekëve dhe mbështetjen financiare në kohë krize.  /SHENJA/

 

 


You may also like