(VIDEO) VMRO e dorëzoi nismën për heqjen e Qeverisë teknike

by admin
Spread the love

Ashtu siç paralajmëroi gjatë fundjavës, VMRO DPMNE dorëzoi sot në Kuvend nismën për shfuqizimin e Qeverisë teknike 100 ditë para zgjedhjeve. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së, Nikolla Micevski, duke arsyetuar propozimin, tha se Maqedonisë së Veriut i duhen zgjedhje të parakohshme një orë e më parë dhe nuk e ka luksin që të humbasë 100 ditë me Qeveri teknike.

NIKOLLA MICEVSKI, VMRO DPMNE
“Maqedonia dhe qytetarët e saj nuk mund të jetojnë në frikë dhe paqartësi për të ardhmen. Vendit i duhen menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për këtë qëllim, grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së dorëzoi sot në Kuvend propozimin për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë. Me këtë propozim Ligj kërkojmë fshirjen e neneve që parashikojnë që 100 ditë para zgjedhjeve të zgjidhet qeveri e re kalimtare. Në këtë moment kur kemi disa kriza dhe në shtet mbizotëron kaos i përgjithshëm, Maqedonia nuk guxon të humbë asnjë ditë”.

Pushteti nga ana tjetër e sheh si pozitive nismën e VMRO DPMNE-së. Sipas LSDM-së, kjo dëshmon se edhe opozita u beson institucioneve të vendit në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe kredibile. Megjithatë LSDM kundërshton kushtëzimin e këtyre ndryshimeve me zgjedhje të parakohshme. Sipas tyre, këto ndryshime nuk janë prioritet për momentin, sepse zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë.

 JOVAN MITREVSKI, LSDM
“Është mirë që VMRO DPMNE e pranon se shteti ka institucione që mund të realizojnë zgjedhje parlamentare të lira, korrekte, demokratike dhe kredibile, që do të thotë se nuk ka nevojë për Qeveri teknike. Por njëkohësisht e kontestojmë mënyrën dhe kohën e dorëzimit të kësaj nisme. Gjithsesi se për këtë Ligj duhet të bisedojmë dhe të kemi konsensus”.

Edhe BDI përkrahë shfuqizimin e Qeverisë teknike, pasi sipas tyre mosbesimi në institucione nuk i ngjanë një shteti anëtar i NATO-s dhe aspirant për anëtarësim në BE.

ARBËR ADEMI, BDI
“BDI ka arritur dakordësi më herët si me LSDM-në ashtu edhe me VMRO DPMNE-në për shfuqizimin e Qeverisë teknike, për arsye se është e palogjikshme që një vend anëtar i NATO-s, një vend aspirant për BE, që pritet të hapë negociatat me BE-në, të ketë Qeveri teknike për arsye të mosbesimit ndaj institucioneve për realizim të një procesi zgjedhor”

Qeveria teknike erdhi si rezultat i bisedimeve politike në Përzhino gjatë krizës politike në vitet 2015 dhe 2016. Ligji parashikon që 100 ditë para zgjedhjeve, kryeministri jep dorëheqje dhe formohet qeveri e re kalimtare ku merr pjesë edhe opozita me ministrin e Brendshëm dhe ministrin e Punës dhe Politikës Sociale.  /SHENJA/

You may also like