(VIDEO) VMRO dhe Aleanca me amendamente për Ligjin e pagës minimale

by admin
Spread the love

LSDM-ja të tregojë nëse rritja e pagës minimale është me një qëllim të sinqertë që do të vlejë për të gjithë apo është vetëm një masë e re dhe selektive populiste. Kështu akuzojnë nga partia opozitare VMRO-DPMNE, Qeverinë për propozim-ligjin e pagës minimale. Nga grupi parlamentar i tyre paralajmëruan se do të ndërhyjnë me amendamente, për rritjen e pagave edhe në sektorin publik, pasi siç thonë nuk duhet lejuar demotivimi i punonjësve që kanë përgjegjësi më të larta pune.

Zhaklina Peshevska, deputete nga VMRO-DPMNE

“Me këtë amendament do të kërkojmë që shuma e koeficientëve dhe vlera e pikëve të Marrëveshjeve Kolektive në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat në sektorin publik të harmonizohet me rritjen e pagës minimale, që domethënë  të bëhet rritja graduale e tyre në raport me pagën minimale”

Edhe nga partia opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, thonë se do e përkrahin rritjen e pagës minimale në 18.000 denarë, por do të dorëzojnë amendamente dhe për rritjen e pagave tjera.

 Ilire Dauti, koordinatore e grupit parlamentar të Alenacës për Shqiptarët

“Nëpërmjet amandamentit të propozuar, që sot në Komisionin për Punë dhe Politikë sociale do jetë pjesë e debatit, kërkojmë që: lartësia e pagave të të punësuarve në sektorin publik, të vërtetuara me ligje të posaçme, rregulla të përgjithshme për marrëdhëniet e punës dhe marrëdhëniet kolektive, të rriten në mënyrë ekuivalente me rritjen e rrogës minimale, të vërtetuara me Ligjin e pagës minimale duke filluar me pagesën e rrogës për muajin mars të vitit 2022”

Social Demokratët thonë se ky Ligj parashikon një të ardhme të sigurtë për të gjithë punëtorët, sepse me  vendosjen e kriterit të ri për llogaritjen e pagës minimale, ajo nuk mund të jetë më e ulët se 57 për qind e pagës mesatare.

Ndërkaq, për amendamentet e paralajmëruar të VMRO-DPMNE-së,  thonë se nuk janë në bazë të normave juridike.

Sanella Shkrijell, deputete nga LSDM

“Do doja të thoja se përsëri bëhet fjalë për amendamente “paushalle”, dhe mendoj se vetë opozita është e vetëdijshme se juridikisht nuk janë të vlefshme, përshkak që propozimi për pagën minimale nuk përcakton pagat për sektorët e tjerë dhe për këtë arsye janë marrëveshjet kolektive. Shumë herë kemi thënë publikisht se bisedimet vazhdojnë me të gjithë partnerët. Ne nuk mundemi të propozojmë zgjidhje pa kompromise me partnerët social”

Sot ka filuar debati në Komisioni për Punë dhe Politikë Sociale, për ndryshimet në Ligjin e pagës minimale. Debati sipas rregullores do të zgjasë 3 ditë sepse amendamentet e propozuara janë dorëzuar me procedurë të shkurtuar. Nevoja për miratimin e ndryshimeve ligjore u votua më 10 shkurt në seancën plenare, pas marrëveshjes së arritur mes  Qeverisë, Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë  dhe Organizatës së punëdhënësve.

Linda Ebibi /SHENJA/

You may also like