(VIDEO) VMRO bllokon Kuvendin me qëllim që të shkaktojë zgjedhje të parakohshme

by admin
Spread the love

VMRO DPMNE do të bllokojë punën e Kuvendit me qëllim që të shkaktojë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Vendimi pritet të verifikohet sot në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të partisë, por kryetari i partisë Hristijan Mickoski tha se kjo është e domosdoshme për shkaktimin e zgjedhjeve pasi sipas tij, çdo ditë më tepër me këtë Qeveri në krye është humbje për qytetarët.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO-DPMNE-SË
“Ky proces do të zgjasë më shumë muaj derisa kjo qeveri e paarsyeshme nuk mbushet mend. Paraprakisht ju kërkoj falje qytetarëve për të gjithë atë që do të vijojë në periudhën në vazhdim por duhet të na kuptojnë, na duhet përkrahje, inkurajim dhe mbështetje shoqërore që ta shpëtojmë Maqedoninë, sepse nëse kjo qeveri vazhdon vetëm edhe një ditë më shumë, Maqedonia do të ketë më pak ndërsa ata më shumë”

Bllokimin e Kuvendit bashkë me VMRO DPMNE-në do ta përkrahë edhe Lëvizja Besa, pasi sipas tyre kjo Qeveri nuk ka legjitimitet. Por partia tjetër opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, nuk do t’i bashkëngjitet kësaj nisme. Nga Aleanca thonë se ata kanë strategjinë e vetë të veprimit.

ILIRE DAUTI, ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Është e vërtetë se duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare, por duhet menduar mirë për formën dhe mënyrën se si do të ndodhë ajo për faktin se edhe vetë bllokadat nuk e dijmë se çfarë precedentësh mund të krijojnë në të ardhmen dhe si do të reflektohen mbi funksionimin e shtetit në përgjithësi”

Partia në pushtet LSDM thotë se VMRO DPMNE po vazhdon avazin e vjetër të destruktivitetit me çka po ju sjellin dëm vetëm qytetarëve.

BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Me paralajmërimet për bllokime edhe më të mëdha, Mickoski nuk e bllokon LSDM-në, nuk e bllokon Qeverinë. Mickoski nuk i sjell dëm LSDM-së as Qeverisë. Me veprime të tilla që nuk janë burrshtetase, Mickoski u sjell dëm vetëm qytetarëve”.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi nga ana tjetër thotë se kryesia e Kuvendit do të vazhdojë punën sipas Rregullores, ndërsa do të shohin veprimet e opozitës para se të gjykojnë se si do t’i përgjigjen veprimit.

TALAT XHAFERI, KRYETAR I KUVENDIT
 “Kuvendi vepron sipas Rregullores, nëse ka amendamente do të shohim se si do të kalojnë ligjet në komisioni, nëse ka filibastering – sa mund të flasin deputetët, ja 120 deputetë nga 10 minuta do të flasin. Do të shohim, unë do të punoj sipas Rregullores, nuk do të bëjmë luftë, do të shohim si do të veprojnë”.

VMRO DPMNE thotë se bllokimi i Kuvendit është vetëm një nga masat që do të marrin për shkaktimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat i kërkojnë që pas fitores në zgjedhjet lokale në tetor të vitit të kaluar. /SHENJA/

You may also like