(VIDEO) Të gjitha partitë shqiptare kanë rënie në vota në krahasim me zgjedhjet e 2020-ës

by admin
Spread the love

Fituese e zgjedhjeve të djeshme lokale me numër total votash është BDI, nëse merren për bazë votat për këshillat komunal. Partia e Ahmetit ka grumbulluar 100.323 vota, koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka 53.844 vota, Lëvizja Besa 25.088 vota dhe PDSH 8221.

Ajo që bie në sy është se të gjitha partitë shqiptare kanë rënie në vota në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. BDI në këto zgjedhje ka marrë mbi 4 mijë vota më pak në krahasim me vitin 2020 kur kishte 104.699. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me 53.844 e grumbulluara shënon një rënie prej rreth 34% në krahasim me zgjedhjet parlamentare të një viti më parë, kur kishte 81.620.

Për Besën nuk mund të bëhet krahasim me zgjedhjet parlamentare të 2020-tës për shkak se ishin në koalicion me lista të përbashkëta për deputetë me LSDM-në.

Ndërkaq rënie shënon edhe PDSH-ja, e cila arriti me rezultat prej vetëm 8221, ka shënuar kështu tkurrje për 40% të trupit votues në krahasim me zgjedhjet parlamentare, kur grumbulluan 13.930 vota.

Arsyeja për rënien e votave tek të gjitha shqiptare është dalja më e ulët në viset e banuara me shqiptarë. Për shembull dalja në Tetovë ishte vetëm 44,81%, në Gostivar 39,02%, në Çair 45,77%, në Strugë 41,36% e kështu me radhë, përkundër daljes masive në komunat me shumicë maqedonase. Thuajse në të gjitha komunat e mëdha maqedonase dalja ka qenë mbi 50%, ndërsa shumë prej tyre i afrohen 70% pjesëmarrje në zgjedhje.

Gara për këshillat komunal ka përfunduar mbrëmë. Numri i këshilltarëve ndahet sipas modelit proporcional.  /SHENJA/

You may also like