(VIDEO) Takohen Zoran Zaev dhe Afrim Gashi, nuk ka vendim për përfshirjen e Alternativës në Qeveri

by admin
Spread the love

Kryeministri Zoran Zaev takoi sot kryetarin e Alternativës Afrim Gashi, duke i ofruar atij pjesëmarrje në Qeveri. Në takimin e sotëm, i pari i kësaj natyre, nuk është marrë kurrfarë vendimi, por janë dëgjuar pikëpamjet nga të dyja palët. Kryetari i Alternativës Afrim Gashi theksoi se brenda partisë së tij mbizotërojnë dy mendime të ndryshme rreth çështjes nëse duhet ose jo Alternativë të bëhet pjesë e pushtetit, raporton SHENJA.

AFRIM GASHI, KRYETAR I ALTERNATIVËS
“I pari është bashkëngjitja në shumicën aktuale dhe e dyta është vazhdimi i bashkëpunimit me opozitën. Kam takime me Selën dhe me kryetarin e VMRO-së, Mickoski. Ne këto dy këto vështrime të ndryshme do t’i sjellim në organet e partisë të shohim se cila është zgjidhja. Cila është me më rëndësi për qytetarët, shqiptaret dhe për partinë Alternativa”

Kryeministri Zoran Zaev nga ana tjetër theksoi se në takimin e sotëm nuk është folur për ndarjen e posteve dhe ministrive, por për përcaktimet dhe kërkesat programore të Alternativës.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR
“Temat që sot janë hapur janë parasegjithash janë programore. Më vjen mirë se bashkëpunimi i ardhshëm do të definohet në bazë të principeve programore. Bëhet fjalë për problematika rreth përmbaruesve, për moszhvillim e barabartë të disa rajoneve siç është rajoni i Likovës, bëhet fjalë për aspekte sociale, për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve”

Të pyetur për obstruksionet që ka hasur Alternativa herën e parë kur ishte pjesë e Qeverisë, Zaev tha se ato kanë qenë mangësi për të cilat Afrim Gashi me të drejtë ka kërkuar të mos përsëriten.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR
“Alternativa kërkon garanca se kjo nuk do të ndodh herën e ardhshme, normalisht nëse vendosin që të hyjnë në Qeveri. Edhe unë ashtu do të veproja po të isha në vendin e Afrim Gashit, normalisht sepse keni anëtarësi, keni organe të partisë dhe ata kërkojnë përgjigje nga ju. Duhet t’i definoni para kohe që të mos përsëriten të njejtat gabime apo mangësi në funksionim”

Edhe kreu i Alternativës Afrim Gashi tha se nuk do të bëhen pjesë e Qeverisë nëse nuk marrin garanca të forta se obstruksionet do të ndalen dhe do të trajtohen si të barabartë e me dinjitet.

AFRIM GASHI, KRYETAR I ALTERNATIVËS
“Ne nuk do të bëhemi pjesë e një Qeverie e cila në ata që i kujton se i ka partnerë do të gjej pengues. Ne nuk jemi aty mish i egër. Nëse dikush mendon se futet mish i egër në Qeveri, atëherë ju faleminderit, i vazhdojmë rrugëtimet të ndarë. Nëse ka concept, ide nga të gjithë, duke filluar nga kryeministri dhe të gjitha partitë e tjera, se për shkak të momentumit politik ka nevojë për një parti si Alternativa, atëherë ne natyrisht kërkojmë garanca se do të jemi të trajtuar si të barabartë dhe me dinjitet”

Takimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, ndërsa kryetari i Alternativës Afrim Gashi do të raportojë të martën para kryesisë qendrore për vijimin e bisedimeve me kryeministrin Zaev. /SHENJA/

You may also like