(VIDEO) TAKIM MICKOSKI – SELA, GATI SHUMICA E RE PARLAMENTARE

by admin
Spread the love

Liderët e partive opozitare kanë vazhduar edhe sot bisedimet për formimin e shumicës së re parlamentare. Në hapësirat e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, janë takuar sot kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela dhe kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski. Nga kabineti i Selës njoftojnë se mes tjerash, liderët kanë biseduar edhe për krijimin e një shumice të re parlamentare, ku bartëse do të jenë VMRO DPMNE dhe koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
“Njoftojmë opinionin se koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës është stabil dhe bashkërisht punojmë në krijimin e shumicës së re parlamentare brenda një periudhe shumë të shpejtë. Edhe përkundër manipulimeve, presioneve, blerjes së votave dhe keqpërdorimeve të shumta, qytetarët dëshmuan se janë kundër Qeverisë dhe pushteti aktual tanimë nuk ka legjitimitet për të udhëhequr vendin as në nivel lokal dhe as në atë qendror”.

Dje, Mickoski ka zhvilluar bisedë telefonike edhe me kryetarin e Alternativës Afrim Gashi, ku përveç për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale është biseduar edhe për shumicën e re parlamentare.

Lëvizjet konkrete për shumicë të re parlamentare vijnë pas rezultatit të zgjedhjeve lokale, ku partia e Mickoskit arriti të fitojë ndaj LSDM-së si në numër votash ashtu edhe në numrin e komunave të fituara.

Rezultati i zgjedhjeve lokale, sipas raportimeve, ka lëkundur partnerët më të vegjël në koalicionin e LSDM-së. Partitë PLD dhe RDM, të cilët kanë 3 deputetë, tashmë e kanë konfirmuar se nuk do të bëjnë thirrje që të votohen kandidatët e LSDM-së në rrethin e dytë të zgjedhjeve, edhe pse tani për tani vazhdojnë të jenë pjesë e shumicës.

You may also like