(VIDEO) Sindikatat në këmbë: Rritje të pagave ose greva dhe protesta

by admin
Spread the love

Gjithnjë e më e sigurt është greva e punonjësve të arsimit, e paralajmëruar për javën e ardhshme. Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës nuk arriti marrëveshje me Qeverinë për rritjen e pagave në arsim, në takimin që kishin mbrëmë. Sindikata paralajmëron se nëse nuk arrihet zgjidhje ndërkohë, më 11 prill pra të hënën do të fillojë grevë të përgjithshme në çerdhe, shkollat fillore dhe të mesme.

JAKIM NEDELKOV, KRYETAR I SASHK-ut
“Fatkeqësisht nuk kemi zgjidhje afatshkurtër. Zgjidhje me të cilën tani menjëherë do të rriteshin pagat në sferat të cilat i përfaqësojmë, për 18,4% ashtu siç kemi kërkuar disa herë. Fatkeqësisht dolëm të dëshpëruar nga ky takim”.

Ndërkohë edhe Sindikata e të punësuarve në administratë, gjyqësor dhe agjenci publike ka reaguar sot për mosrespektimin e ligjit për pagën minimale nga vetë institucionet e shtetit. Të punësuarit në ministri, gjykata, agjenci dhe drejtori shtetërore, të entjen dhe të premten nuk do të punojnë nga ora 10 deri në orën 12, në shenjë proteste për mospërfilljen e kërkesave të tyre.

TRPE DEANOSKI, SINDIKATA E ADMINISTRATËS E GJYQËSORIT
“Duket sikur Qeveria nuk është e interesuar për ne. Punonjësve nuk u paguhet paga minimale, mbi 90% të institucioneve vazhdojnë të paguajnë rrogë më të vogël se minimalja, ndërsa disa që e kanë paguar kanë bërë gabime katastrofike me shkurtimin e stazhit. Kjo është mosrespektim i ligjeve nga shteti, ligje të cilat i sjellë vet”.

Grevë të përgjithshme paralajmërojnë edhe punonjësit postarë. Nëse nuk ka rritje rrogash, sistematizim të ri dhe garanci për ruajtjen e vendeve të punës, punonjësit në posta do të nisin grevë të përgjithshme nga 14 prilli.
 BORO VELIGDENOV, KRYETAR I SINDIKATËS SË POSTËS SË MAQEDONISË SË VERIUT
“30 vjet nuk kishte rritje të pagave në postën e Maqedonisë, prandaj kërkojmë urgjentisht rritje të pagave, duke pasur parasysh se janë rritur çmimet e prodhimeve, energjisë elektrike dhe gjithçka tjetër, ku fuqia blerëse e postës së Maqedonisë është ulur në mënyrë drastike. Duke pasur parasysh faktin se mbi 70% në postën e Maqedonisë me rritjen e pagës minimale, do të marrin pagë të barabartë me minimalen”.

Këto kërkesa nga sindikalistët vijnë pas rritjes së rrogës minimale nga 15 mijë në 18 mijë denarë. Sindikatat tani kërkojnë harmonizimin e pagave në bazë të pagës minimale, pra rritjen proporcionale edhe të pagave tjera.  /SHENJA/

 

 

You may also like