(VIDEO) Revizorët: në spitalin e Manastirit janë paguar kujdestari pa shkuar në punë

by admin
Spread the love

Revizorët shtetërorë kanë konstatuar parregullsi të shumta në punën e spitalit klinik të Manastirit, pas disa ngjarjeve tragjike që ndodhën atje. Në spital, përkundër faktit se nuk kanë punuar me orar të plotë, punëtorëve u janë  paguar paga të rregullta dhe kompensim për detyrën, për të cilën nga arkat e spitalit kanë rrjedhur miliona denarë. Ministria e Shëndetësisë nuk është konsultuar për kohën e kujdestarisë dhe punëtorët kanë punuar jashtë orarit përtej maksimumit të lejuar prej 190 orësh. Edhe personeli jomjekësor paguhej për kujdestari. Për dallim nga kjo, revizorët kanë konstatuar se shërbimet e detyrueshme mjekësore nuk janë të aksesueshme për qytetarët. Enti Shtetëror për Revizion ka kryer kontroll të raporteve financiare për funksionimin e spitalit për vitin 2022 dhe konstatuan një sërë parregullsish. Me kontrollin e evidencës së orarit të punës, llogaritjes dhe pagesës së pagave dhe shtesave në mëditje, vitin e kaluar janë paguar përafërsisht 581 milionë denarë, për të cilat revizorët kanë konstatuar parregullsi.

ENTI SHTETËROR I REVIZIONIT

“Me revizionin është konstatuar se mënyra e organizimit të orarit të punës nuk është uniforme, për këtë arsye në njësi të caktuara organizative një pjesë e personelit mjekësor nuk garantohet të përmbushë 36 deri në 40 orë pune në javë, gjegjësisht është krijuar një praktikë, që një pjesë e orarit të punës të kryhet përmes mbi 12 orëshit deri në 24 orë kujdestari, pas së cilës shfrytëzohen më shumë ditë pushimi dhe orët e kaluara në detyrë konsiderohen si orë të plota”.

Kjo praktikë u mundësoi disa punonjësve që as të mos punojnë me orar të plotë, ndërkohë që u paguhej paga e rregullt dhe kompensimi për detyrën, thonë nga enti shtetëror i revizionit. Ata njoftojnë se rreth 36 milionë denarë janë paguar në bazë të detyrës, pa pëlqimin e kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa ka pasur edhe pagesë të personelit kujdestar jomjekësor në vlerë prej 919 mijë denarëve.

ENTI SHTETËROR I REVIZIONIT

 “Parregullsi janë konstatuar edhe gjatë pagesës së përafërsisht 7 milionë denarëve për punë jashtë orarit të 303 punëtorëve. Përkatësisht, inspektori i punës nuk është njoftuar për punën jashtë orarit dhe nuk janë vendosur kontrolle për numrin e orëve të punës, për këtë arsye 41 punëtorë kanë punuar jashtë orarit mbi maksimumin e lejuar prej 190 orëve, për çka janë paguar rreth një milion denarë”.

Për disa nga të punësuarit që kanë shkuar për të punuar në objektet tjera shëndetësore janë faturuar rreth 1 milion denarë më shumë se ora e vërtetë e punës.

Deri në fund të majit 2022, drejtoreshë e spitalit ishte doktoresha Biljana Gagaçovska, mjeke specialiste psikiatre, e cila e drejtoi institucionin për një mandat, duke përfshirë edhe kohën e krizës së koronës. Nga maji i vitit të kaluar deri në prill të këtij viti, në krye të spitalit ishte doktor Aleksandar Obednikovski, specialist ortopedik. Drejtoresha aktuale e spitalit është Dr. Elizabeta Ivanovska, specialiste interniste.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

 

 

 

MARKETING



You may also like