(VIDEO) Qeveria të martën do të shpallë krizë energjetike, ja çfarë thotë për krizën drejtori i MEPSO-s

by admin
Spread the love

Shpallja e krizës energjetike e paralajmëruar nga Qeveria do të nënkuptojë lehtësim të procedurave për importim të energjisë elektrike. Kështu thotë drejtori i MEPSO-s Kushtrim Ramadani, i cili shpjegon për TV Shenja se Maqedonia e Veriut është e varur nga importi, edhe më shumë tani me krizën energjetike. Megjithatë sipas tij kjo nuk do të ndikojë për rritjen e çmimeve ose reduktimin e furnizimit me energji elektrike, të paktën deri në fund të vitit.

KUSHTRIM RAMADANI, DREJTOR I MEPSO-S
“Tani për tani nuk mundësohet ajo mundësi aspak. Njëashtu edhe rritja e çmimit të energjisë deri në vitin e ri, siç e paralajmëruan institucionet kompetente, për amvisëri dhe bizneset e vogla nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë. Kështu që tani për tani nuk ka vend për panik për kufizimin e energjisë elektrike ose rritje të çmimit”

Ramadani shpjegon se pjesë e problemit është edhe rënia drastike e prodhimtarisë vendore të energjisë elektrike. Hidrocentralet dhe Termocentralet prodhojnë vetëm rreth 10% të kapacitetit të tyre. Kjo ndodh për shkak të keqmenaxhimit të ujrave nga hidrocentralet, dhe infrastruktura e vjetër dhe mungesa e thëngjillit për termocentralet.

KUSHTRIM RAMADANI, DREJTOR I MEPSO-S
“Reduktimi i prodhimit ndodh për shkak se termocentralet posaçërisht janë të vjetruara shumë, por edhe rezervat e thëngjillit në Manastir dhe Kërçovë janë në fund. Edhe ai thëngjill që ka ngelur në bazenin e Pellagonisë është me kualitet shumë të dobët…. Jemi të detyruar të bëjmë import edhe të thëngjillit”.

Qeveria solli dje dekretin ku konfirmoi kushtet në të cilat shpallet gjendja e krizës energjetike. Në seancën e ardhshme të Qeverisë, e caktuar për të martën, pritet edhe zyrtarisht të shpallet krizë energjetike në vend.

MINISTRIA E EKONOMISË
“Qeveria në mbledhjen e ardhshme të martën kur do të dorëzohet propozimi për shpalljen e krizës energjetike, duhet të sjellë vendim nëse do të shpallet gjendje e krizës energjetike, sa do të zgjasë dhe çfarë masa do të merren”.

Nga Qeveria kanë siguaruar se deri në fund të këtij viti nuk do të ketë ndërprerje të energjisë ose rritje të çmimit, por nuk mund ta thonë të njejtën nga janari e tutje. Sipas tyre askush nuk e di se çfarë do të sjellë viti i ardhshëm lidhur me krizën energjetike.  /SHENJA/

You may also like