(VIDEO) Qeveria është dakord që të ketë rritje të pagës minimale

by admin
Spread the love




Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë Admirim Aliti dhe këshilltari i kryeministrit të Qeverisë, Milan Zhivkoviq sot u takuan me me përfaqësues të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, të udhëhequr nga kryetari i LSM-së, Darko Dimovski. Temë kryesore e takimit ishin kërkesat e sindikatave për rritjen e pagës minimale në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se Qeveria do të mbetet një partner social konstruktiv, i cili do të nxisë debatin dhe diskutimin për të gjitha çështjet e rëndësishme në shoqëri, siç është niveli i pagës minimale. Ai sqaroi se më 2 shkurt është caktuar seanca e Këshillit Ekonomiko-Social, në të cilën do të vazhdojë diskutimi mes të tre palëve sociale, ku pikë kryesore e rendit të ditës do të jetë pikërisht niveli i pagës minimale.

Zyrtarët e Qeverisë theksuan se paga minimale do të vazhdojë të rritet dhe zgjidhja sistematike do të vijë përmes dialogut me të gjitha palët, kurse zgjidhja që do të propozohej sigurisht nënkupton qëndrueshmëri afatgjate për rritjen e pagës minimale në përputhje me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagave mesatare.

Sindikata kërkon rritje të menjëhershme të pagës minimale në 18.000 denarë dhe që ajo të mos jetë më e ulët se 60 për qind e pagës mesatare mujore neto të paguar në tre muajt e fundit, si dhe harmonizimin e obligueshëm të të gjitha pagave tjera në vend. Po ashtu, sindikata kërkon nënshkrimin e një marrëveshjeje të përgjithshme kolektive për sektorin publik që do t’i kthejë pagesën e pushimeve të njohura si K-15. Pak ditë më parë sindikata paralajmëroi protesta nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. /SHENJA/


You may also like