(VIDEO) Pushteti këmbëngul se ka 61 deputetët, me Alternativën diskutojnë për të shtuar shumicën

by admin
Spread the love

Qeveria vazhdon të këmbëngul se ka përkrahjen e 61 deputetëve, ndërkohë që e mban të fshehtë se cili mund të jetë deputeti i 61-të që nuk deklarohet. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se nuk ka dyshim nëse Qeveria ka shumicë për të funksionuar, por sipas tij po bisedojnë me Alternativën për të krijuar shumicë edhe më stabile në mënyrë që të mundësojnë funksionim të papenguar të Qeverisë.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I JASHTËM                  

 “Shumicë ka, këtë mund ta konfirmoj. E kam konfirmuar edhe në të tjera raste, presim që me këto bisedime kjo shumicë të rritet në mënyrë shtesë, që të jetë stabile dhe të mundemi që muajt dhe vitet e ardhshme të vazhdojmë me këto aktivitete serioze të Qeverisë.”

Edhe LSDM para dy ditësh tha se Qeveria ka mbështetjen e 61 deputetëve, por nuk deshi të zbulojë emrin e deputetit të 61-të. Kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski, i pyetur për këto deklarata të përfaqësuesve të Qeverisë, tha se nuk mund ta dijë se kush është deputeti i 61-të, por fakti që një pjesë e deputetëve të pushtetit nuk dalin hapur për ta mbrojtur Qeverinë është akt qyqar sipas tij.

HRISTIJAN MICKOSKI, VMRO-DPMNE
“Nuk e di, nuk do të doja të futem në teori konspiracionesh lidhur me atë se cili është deputeti i 61-të, apo kush është i 60-ti. Një gjë është e qartë, ajo për të cilën ishte dëshmitar populli, që edhe ata 59 ditën kur u votua mosbesimi i Qeverisë, nuk ishin në Kuvend dhe nuk u ndalën në mbrojtje të kësaj shumice të qeverisë, që për mua paraqet akt qyqar, pasiqë nëse ju besoni se kjo qeveri është e mirë dhe se kjo qeveri punon për interesat e qytetarëve, atëherë do të duhej të ishit në tavolinat e Kuvendit, së bashku me kolegët të kundërshtoni.”

Seanca për mocionin e votëbesimit, edhe pse dështoi në Kuvend, tregoi se pushteti dhe opozita kanë nga 60 deputetë. Aktualisht Qeverinë e përkrahin deputetët e LSDM-së, BDI-së, si dhe nga një i PDSH-së dhe Lëvizjes Besa. Kryeministri Zoran Zaev po zhvillon bisedime me partinë Alternativa, me qëllim që me 4 deputetët e saj të sigurojë shumicë stabile në Kuvend.  /SHENJA/

 

You may also like