(VIDEO) Personalitete të shquara nga Ballkani në mitingun e madh të Erdoganit në Stamboll

by admin
Spread the love

Personalitete të njohura nga Ballkani dje kanë qenë pjesëmarrës në mitingun e madh të presidentit Rexhep Taip Erdogan në Stamboll. Me çka përkrahjen e këtillë e kanë konsideruar si jetike edhe për mirëqenien e Ballkanit në përgjithësi, duke pasur parasysh rolin e Turqisë në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në rajon.

Me këtë rast, në deklaratën e tij për “TimeBalkan” gjatë këtij tubimi, profesori universitar nga Shkupi dhe drejtori i ShB “Logos-A”, Adnan Ismaili mes tjerash u shpreh se Turqia është shkëndija e stabilitetit për të gjithë ne.

ADNAN ISMAILI, DREJTOR I SHB “LOGOS-A”

“Kemi ardhur këtu nga shtetet e Ballkanit (Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Presheva, Sanxhaku), të gjithë – shqiptarë e boshnjakë në mbështetje dhe përkrahje të Presidentit turk, Erdogan dhe popullit vëlla turk. Ishim aty, sepse për ne kjo ditë është historike. Gjatë këtyre 20 viteve roli i Turqisë në Ballkan është i jashtëzakonshëm dhe tepër i rëndësishëm. Me këtë në tubim e mbështetëm Presidentin Erdogan. Pas një shekulli Turqia, e veçanërisht në dy dekadat e fundit është shkëndijë e stabilitetit për të gjithë ne, prandaj lutjet tona janë për Turqinë”.

Ndërkaq, kryetari i shoqatës humanitare “Ensar”, profesori universitar nga Shkupi, Sulejman Baki tha se në Stamboll përjetuan një ditë historike.

SULEJMAN BAKI, KRYETAR I SHOQATËS HUMANITARE “ENSAR”

“Shpresojmë që të dielën e ardhshme të festojmë fitoren e Presidetit Erdogan dhe të koalicionit Aleanca Popullore. Ndjenjë e veçantë dhe e papërshkruar të jesh pjesë e këtij tubimi”.

Nga ana tjetër Husrev Emin, kryetari i shoqatës turke “Köprü” nga Shkupi deklaroi se këto zgjedhje nuk janë vetëm për Turqinë, por janë zgjedhje për gjithë hemisferën e Ballkanit.

HUSREV EMIN, KRYETAR I SHOQATËS TURKE “KÖPRÜ”

“Të jesh pjesë e mitingut historik dhe shekullor, është borxh moral për ne që të vijmë nga Shkupi në tubimin e madh të Stambollit. Këto zgjedhje, nuk janë vetëm zgjedhje për Turqinë, por janë zgjedhje për gjithë hemisferën e Ballkanit, zgjedhje për popullin turk të Ballkanit, zgjedhje për të ardhmen tonë të përbashkët si myslimanë të Ballkanit. Në këtë tubim të madh historik, ndjenjat tona ishin të papërshkruara dhe emocionuese. Shpresoj që më natën e 14-të majit, Turqia, diaspora dhe gjithë bota, do të festojmë bashkërisht”.

Mysafirë special të AK partisë nga shtetet e Ballkanit, përveç personaliteteve të lartëpërmendura, kanë qenë edhe themeluesi i Alternativës, ish – sekretari i Përgjithshëm, aktualisht deputet i pavarur në Kuvendin e RMV-së, Skender Rexhepi-Zejdi, ish deputeti i Parlamentit të Kosovës, kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Çerkezi, drejtori i Agjencisë për Sipërmarrësi, Hajrulla Misini, kryetari i OKH “Merhamet”, Ridvan Xhaferi, kryetari i SHK “Vizioni – M”, Taxhudin Shabani, si dhe personalitete të njohura nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Sanxhaku e Presheva.

Ndryshe, në tubimin e djeshëm të madh në Stamboll, të Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, shifrat zyrtare thanë që pjesëmarrës ishin mbi 1 milionë e 700 mijë qytetarë, një shifër kjo rekord që konsiderohet edhe si historike në kuadër të zgjedhjeve të politikës turke. /SHENJA/

 

You may also like