(VIDEO) Pas Sofjes eurokomisari Varhej në Shkup, takon krerët e shtetit

by admin
Spread the love




Pas vizitës së djeshme në Sofje, Komisari evropian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Oliver Varheji ka vizituar sot Shkupin, ku ka takuar krerët më të lartë politik. Pa agjendë publike dhe pa ftesë për media, Varheji takoi kryeministrin Dimitar Kovaçevski në Qeveri. Në takimin që zgjati mbi 1 orë e gjysmë kanë qenë prezent edhe zv/kryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dhe Ministri i Jashtëm Bujar Osmani.

Kabineti i kryeministrit Kovaçevski informoi se me Varhejin është folur për rëndësinë e integrimit të rajonit që është përfitim si për vendet individuale ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Është theksuar nevoja për nisje sa më të shpejtë të bisedimeve për antarësim, sepse përndryshe mund të mbetet një çështje e hapur për një kohë të gjatë.

Kryeministri Kovaçevski ka deklaruar se mbetet i përkushtuar ndaj parimeve për respektimin e vlerave evropiane dhe dialogut me Bullgarinë të bazuar në respekt dhe dinjitet, për çka janë pajtuar me kryeministrin bullgar Kiril Petkov në fillimin e dialogut për zgjidhjen e kontestit.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Vendi ynë ka përmbushur detyrimet e tij dhe vazhdon të veprojë plotësisht në përputhje me politikat e Bashkimit Evropian, me çka edhe një herë dëshmojmë se jemi një partner i denjë i vendeve evropiane dhe e meritojmë përfundimisht mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në” – citohet kryeministri Kovaçevski nga kabineti i tij.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm Bujar Osmani pas takimit ka njoftuar se me komisarin Varheji diskutuan pasojat e vonesës së integrimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I JASHTËM
“Është koha që Bashkimi Evropian ta zgjatë dorën për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të demonstrojë qartë se ardhmëria e rajonit është evropiane. Rajoni është gjithnjë e më i lodhur nga pritja, me çka po dëmtohet kredibiliteti i BE-së”.

Varheji pasdite takon edhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe krerët e partive politike. Vizita e tij në Shkup dhe Sofje vjen në tentim për të lehtësuar dialogun bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në prag të Samitit të qershorit. Kjo çështje bilaterale po mbanë peng hapjen e bisedimeve me BE-në për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.  /SHENJA/

 


You may also like