(VIDEO) Osmani: Komuniteti bullgar do të përfshihet në kushtetutë

by admin
Spread the love

MARKETING I PAGUAR POLITIK

Maqedonia e Veriut nuk kundërshton kushtin e ri të Bullgarisë që komuniteti bullgar të përfshihet në preambulën e Kushtetutës. Sipas ministrit të jashtëm Bujar Osmani, është përcaktim edhe i vendit tonë që të përfshijë të gjitha pakicat në Kushtetutë. Por sipas tij, kjo do të bëhet kur të hapet Kushtetuta gjatë anëtarësimit të shtetit në Bashkimin Evropian.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I JASHTËM
“Bullgaria po lëviz nga pozicioni i saj fillestar jo racional për një komb në dy shtete, në pozicion ku thonë, ka një bashkësi bullgare me atribute të veta identitare, kulturore e ndryshme nga bashkësia shumicë. Republika e Maqedonisë nuk ka pasur asnjëherë problem të pranojë grupe të ndryshme etnike, që kanë mundësi t’i manifestojnë atributet e tyre identitare, kulturore, historike dhe as të bashkësisë bullgare në Republikën e Maqedonisë”.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se ka përparim në negociatat me Bullgarinë dhe pret zgjidhje deri në fund të vitit. Por paralajmëroi qytetarët që të mos rrisin pritjet sepse Bashkimit Evropian nuk i dihet, duke marrë parasysh sistemin e tyre të vendosjes.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I JASHTËM
“Do vazhdojmë të bisedojmë me Republikën e Bullgarisë, për t’i tejkaluar dallimet në kuadër të pozicioneve tona, të cilat i kemi paraqitur para opinionit disa herë me radhë, ne kemi kontakte të vazhdueshme midis dy ministrive. Në takimin e fundit që kemi pasur në Shkup, ka pasur një progres i cili ka krijuar një shpresë se mund të ketë një thyerje deri në fund të vitit dhe deri në fund të vitit t’i tejkalojmë dallimet dhe të mbahet konferenca ndërqeveritare, pa rritur shpresat e njerëzve, për shkak se nuk është proces që varet nga ne, është proces që duhet të ketë konsensusin e 27 vendeve anëtare. Në kuadër të kësaj dritare mundësie që unë konsideroj se do të hapet në fund të vitit do të vazhdojmë të punojmë”.

Komentet e Osmanit vijnë pas deklaratave të djeshme të presidentit të Bullgarisë Rumen Radev, i cili tha se në Maqedoninë e Veriut jetojnë mbi 120 mijë bullgarë dhe duhet të kenë vendin e tyre në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. /SHENJA/

 

MARKETING I PAGUAR POLITIK

You may also like