(VIDEO) Opozita akuzon qeverinë për mosvazhdimin e masave antikrizë

by admin
Spread the love

Rritja drastike e çmimeve në kohën e krizës më të madhe ekonomike, nuk kaloi pa reagime. Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare edhe sot kërkojnë që të votohet propozim ligji i tyre për heqjen e TVSH-së së produkteve dhe uljen e akcizës së derivateve në 5% deri në fund të vitit. Për fajin e kësaj Qeverie, thotë Bojan Stojanoski, prej sot qytetarët po përballen me një tronditje të re të çmimeve.

Bojan Stojanoski, VMRO-DPMNE

“Kjo sjellje e tillë e pakëndshme për nevojat e qytetarëve nga ana e LSDM-së dhe BDI-së, duhet të dënohet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare këtë vjeshtë. Pikërisht për këtë, u bëjmë thirrje që më 18 qershor, të shihemi në protestën para Qeverisë dhe të ju dërgojmë porosi atyre se nuk vleni për asgjë dhe duhet të ikin”.

Qëndrim kundërshtues ka edhe Aleanca për Shqiptarët. Deputeti Halil Snopçe akuzon Qeverinë, ku thotë se vetëm një Qeveri e tillë totalitare dhe e papërgjegjshme lejon këtë rritje të çmimeve. Propozimi i tyre është ulja e TVSH-së së produkteve në 5% dhe e benzinit në 15, kurse e naftës në 9 denarë.

Halil Snopçe, ASH

“Nëse i krahasojmë këto të dhëna nga data e heqjes së masave më 31 maj 2022, me çmimin e  sotëm të derivateve të naftës, në arkën e shtetit do të arkohen më shumë 9. 44 denarë për çdo litër karburant të shitur. Urgjentisht kjo Qeveri duhet t’i pranoj propozimet e Aleancës për Shqiptarët….ulje e TVSH nga 18 në 5%, ulje e akcizës për benzinën nga 22 në 15 denarë dhe për dizelin nga 15,5 në 9 denarë”.

Sipas tij, të dhënat  nga 12 mars 2022 para aplikimit të masave anti krizë me uljen e TVSH-së së naftës nga 18 në 10%,tregojnë se të hyrat për organet tatim mbledhëse në vend, ishin në vlerë prej 37.46 denarë. Ndërsa nga sot këto të hyra janë në vlerë prej 39.24 denarë.

Emine Ismaili /SHENJA/

You may also like