(VIDEO) Nesër konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së

by admin
Spread the love




Pas miratimit të propozimit francez në Kuvend dhe nënshkrimit të Protokollit dypalësh mes Ministrive të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Shkupi tashmë ka rrugën hapur për fillimin e bisedimeve me BE-në. Nesër në Bruksel mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, ku zyrtarisht hapen bisedimet. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në gjuhën maqedonase do ta lexojë deklaratën hapëse, ndërsa përfaqësuesit e BE-së do ta prezantojnë kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut. Menjëherë pas konferencës ndërqeveritare do të fillojë procesi i skriningut, i cili duhet të zgjasë një vit e gjysmë. Pas përfundimit të skriningut duhet të mbahet edhe Konferenca e Dytë Ndërqeveritare, për të kompletuar fazën e hapjes së bisedimeve. Por mbajtja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, për të përfshirë bullgarët dhe pakicat tjera në preambulën e Kushtetutës. Tani për tani pushteti nuk i ka numrat për të ndryshuar Kushtetutën, ndërsa VMRO DPMNE është shprehur hapur se nuk do të përkrahë ndryshimet.

Ndërkohë dje Ministrat e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska nënshkruan protokollin dypalësh, i cili parashikohet në Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë, të arritur mes dy shteteve në vitin 2017. Ministria e Jashtme publikoi dje tekstin integral të protokollit, i cili parashikon pastrimin e librave të historisë, sanksionimin e gjuhës së urrejtjes dhe të tjera. /SHENJA/


You may also like