(VIDEO) Nënshkruhet protokolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

by admin
Spread the love

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani së bashku me homologen e tij bullgare Teodora Gençovska nënshkruan protokollin bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Protokolli u nënshkrua pas mbledhjes së komisionit ndërqeveritar të dy vendeve.

Kryediplomati, Osmani, tha se qëllimi i takimit dhe i protokollit të nënshkruar 3 vite pas të parës është që të bëhet një ndërthurje e punës së bërë mes dy mbledhjeve të komisioneve ndërqeveritare. Ai më tej shtoi se kanë pasur bisedime konstruktive, është bërë shumë, dhe se ka projekte, memorandume që hapin mundësi për marrëdhënie më të mira mes dy vendeve, si miq të ngusht dhe aleatë të NATO-s,

Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme

“Për ne është një mundësi historike që pas 17 vitesh status kandidat, Maqedonia e Veriut merr mundësinë që pasnesër, të fillojë negociatat me BE-në, pra nis fazën e fundit të anëtarësimit tonë në BE. Shpresojmë që ky proces dypalësh bashkëpunimi me Republikën e Bullgarisë, por edhe rruga tjetër e negociatave të anëtarësimit me BE-në, do të mundësojë bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve. Presim mbështetje nga Republika e Bullgarisë në këtë rrugë”

Gençovska tha se takimi ka qenë i dobishëm dhe është shënuar progres në të gjitha grupet sektoriale. Sipas saj, Bullgaria është vendi që mbështet  fuqishëm integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

 Teodora Gençovska, Ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë

“Bullgaria është shteti i cili fuqishëm e përkrah integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Që këtu ju dëshirojë sukses në rrugën në të cilën gjatë kohë kanë dashur të nisen. Shpresoj se me përpjekje të përbashkëta dhe me ndihmën tonë do të arrijnë aty ku qytetarët e RMV-së më së shumti dëshirojnë, të anëtarësohen në BE”

Megjithatë, Gençovska shtoi se qëndrimi i Bullgarisë nuk ndryshon dhe nuk devijon nga ajo që ka vendosur Kuvendi Kombëtar, duke theksuar se nuk e njohin gjuhën maqedonase, dhe se kjo do të shënohet në çdo dokument të procesit së integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Teodora Gençovska, Ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë

“Për sa i përket gjuhës së tyre zyrtare, është pak më specifike në kontekstin e 26 vendeve të tjera anëtare të BE-së. Ata kanë këndvështrimin e tyre dhe ne nuk mund t’i detyrojmë në asnjë mënyrë që të pranojnë qëndrimin tonë zyrtar. Por, qëndrimi ynë është i garantuar ashtu siç është formuluar sipas marrëveshjes”

Me nënshkrimin e protokollit hapet rruga për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit europian.

Linda Ebibi /SHENJA/

You may also like