(VIDEO) Ministria e Punës dhe Politikës Sociale: Kopshtet do të punojnë edhe gjatë grevës

by admin
Spread the love




Të gjitha institucionet parashkollore do të vazhdojnë veprimtarinë e tyre për përkujdesin dhe edukimin e fëmijëve edhe gjatë grevës së paralajmëruar. Kështu kanë njoftuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, përmes një komunikate për media.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale

“Në pajtim me Konventën për të drejtat e fëmijës, dispozitat në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut është e drejtë e patjetërsueshme e fëmijëve t’u ofrohet përkujdes dhe edukim në institucionet parashkollore si një formë e mbrojtjes së fëmijëve”.

 

Madje një gjë e tillë, shtojnë nga kjo ministri është e rregulluar edhe me ligj.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale

“Sipas Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, në institucionet parashkollore për fëmijë, kryerja e veprimtarisë së përkujdesit dhe edukimit të fëmijëve parashkollorë nuk guxon të ndërpritet përveç rasteve emergjente (fatkeqësi natyrore, epidemi etj.), për të cilat vendos themeluesi, paraprakisht me pëlqimin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, por jo gjatë grevës”.

Gjatë realizimit të së drejtës për grevën e të punësuarve siç theksojnë nga Ministria, institucionet parashkollore obligohen të sigurojnë përkujdes të papenguar dhe edukimin e fëmijëve të moshës parashkollore.

Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Shkencës ka paralajmëruar se grevën do ta nisin të hënën, më 11 prill, derisa të plotësohet kërkesa e tyre për rritjen e pagave në arsim për 18.5%.

Emine Ismaili /SHENJA/


You may also like