(VIDEO) Mariçiq e tërhoqi listën për faljen e të burgosurve

by admin
Spread the love




Ministria e Drejtësisë u zmbraps pas presionit publik dhe tërhoqi propozimet për faljen e dënimit me burg për rastin e fundvitit, në mesin e të cilëve gjendej edhe emri i Boban Iliqit, përgjegjësit për vdekjen e Almir Aliut 4-vjeçar. Në njoftimin zyrtar dërguar presidentit, Ministria e Drejtësisë njofton se kanë nevojë për konsultime shtesë lidhur me emrat të cilët ishin propozuar fillimisht.

MINISTRIA E DREJTËSISË
“Ju njoftojmë se për shkak të nevojës për konsultime shtesë rreth propozimeve të dorëzuara nga shtëpitë edukative-ndëshkuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në lidhje me Vendimin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për falje me rastin e Vitit të Ri 2022, Ministria e Drejtësisë e tërheq listën me propozimet e parashtruara”.

Paraprakisht Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq tha se listën e kanë përpiluar drejtuesit e burgjeve të vendit, por Ministria e tij e ka dërguar të tillë tek presidenti. Në Presidencë ka komision të veçantë si filtër të fundit i cili duhej të vendosë nëse emrat e propozuar do të falen ose jo. Komisioni për Falje duhej të mblidhet sot në orën 14:00, por për shkak të tërheqjes së propozimit nga ana e Ministrisë, mbledhja është anuluar.

Përveç për Boban Iliqin, falje ishte propozuar edhe për biznesmenin Sead Koçan, të dënuar në rastet e ish Prokurorisë Speciale, si dhe për Aleksandar Vasilevski – Ninxha, i cili dëshmonte në gjykatë për ngjarjet e 27 prillit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.   /SHENJA/

 


You may also like