(VIDEO) Maqedonia e Veriut merr kryesimin me A5 në vitin 2023

by admin
Spread the love

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka marrë pjesë  në Takimin Ministror të SHBA- së, Karta e Adriatikut, që u mbajt në Podgoricë të Malit të Zi. Në kuadër të takimit, Maqedonia e Veriut merr kryesimin e Kartës për vitin 2023, kur dhe shënohet 20 vjetori i themelimit të saj.

Në fjalimin e tij, Osmani e theksoi rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit rajonal dhe nevojën e forcimit të kontributit të përbashkët rajonal në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit, duke theksuar edhe mbështetjen e fuqishme nga Shtetet e Bashkuara në këtë drejtim.

BUJAR OSMANI-MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME

“Maqedonia e Veriut, si vend anëtar i NATO-s, do të vazhdojë me kontributin e saj aktiv në ruajtjen e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, që është dhe prioriteti ynë kryesor i politikës së jashtme. Vendi ynë është fuqimisht i përkushtuar për promovimin e vlerave euroatlantike, si dhe mbështetjen e anëtarëve të tjerë të Kartës në realizimin e aspiratave të tyre euroatlantike“.

Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut ka mbështetjen e qartë të SHBA-së për rivitalizimin e A5, që është në funksion të ballafaqimit më efikas të vendeve të rajonit me sfidat aktuale, gjë që ishte temë e diskutimit edhe gjatë Dialogut Strategjik të mbajtur me Shtetet e Bashkuara në qershor, në Uashington.

BUJAR OSMANI-MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME

“Si Kryesues i ardhshëm i A5, tashmë po marrim iniciativë për revitalizimin e mëtejshëm të Kartës. Qëllimi është jo vetëm ta forcojmë, por edhe t’i japim A5 rolin e duhur në rajonin tonë. Në një farë mënyre, përmes një koncepti të ri, apo një narrative të re, të bëjmë një përshtatje të qëllimeve dhe misionit të Kartës, sipas sfidave të reja gjeopolitike dhe rrethanave të reja në të cilat ndodhet rajoni”.

Sipas Osmanit, agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës ka krijuar rrethana komplekse gjeopolitike dhe arkitekturë të rrënuar të sigurisë, si rrjedhojë kryesimi me organizatat e sigurisë paraqet një sfidë të veçantë për ta.

Ndërkaq, Në kuadër të vizitës së tij në Podgoricë, Osmani do të takohet edhe me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

You may also like