(VIDEO) Lloga: Palevskin e kthejmë shpejt nga Turqia, por ai mund të përdor të gjitha mjetet ligjore

by admin
Spread the love

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga shpreson se Ljupço Palevski, i dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, do të ekstradohet relativisht shpejt nga Turqia në vend, por, tha ai, është shumë herët për të folur sepse jo gjithçka prej mjeteve juridike janë përdorur. Ai pret që Turqia të marrë në procedurë kërkesat javën që vjen.

KRENAR LLOGA, MINISTËR I DREJTËSISË

‘’Është herët për të folur për ndonjë gjë, siç e thamë dy ditë më parë. Relativisht shpejt presim që ai të dërgohet në Maqedoni të Veriut, por duhet të shohim nëse ai do t’i përdorë të gjitha mjetet juridike dhe nëse sistemi në Turqi do të lejojë që të jetë ashtu siç kemi kërkuar. Dokumentet u dërguan disa herë – përmes DHL, në mënyrë elektronike, përmes MPJ-së tonë dhe Ambasadës. Pra, besoj që nga e hëna e tutje të gjitha këto kërkesa tona do të trajtohen në procedurën e mëtejshme në Turqi’’.

Ministria e Drejtësisë ka dërguar kërkesën për ekstradim të Ljupço Palevskit të enjten, më 7 dhjetor. Ministria njoftoi dy ditë më parë se dokumenti origjinal është dërguar nga DHL në Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Turqisë dhe një version i skanuar i është dërguar edhe Interpolit. Kërkesa për ekstradim vjen pas arrestimit të Palevskit më 5 dhjetor në Turqi, pasi një ditë më parë ishte lëshuar një fletarrest ndërkombëtar ndaj tij si i dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen brutale të 14-vjeçares Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit. /SHENJA/

MARKETING



You may also like