(VIDEO) Liderët e Ballkanit Perëndimor prezantojnë mundësitë për investime

by admin
Spread the love

Në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Banka Evropiane për Rikonstruim dhe Zhvillim, liderët e 6 shteteve të rajonit prezantuan sot mundësitë për investime në secilin prej vendeve të tyre. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut ka filluar projekte të rëndësishme për lidhje infrastrukturore dhe energjetike me fqinjët, që ndihmon shumë shtetin por edhe bizneset.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Në këtë periudhë, projektet më të mëdha janë Korridori 8, lidhja e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe Shqipërinë, si me autostradë ashtu edhe me hekurudhë plus lidhja dixhitale. Lidhjet energjetike me 400 kilovoltë me Shqipërinë dhe eventualisht edhe një tjetër lidhje 400 kilovoltësh me Greqinë”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nënvizoi mundësinë e investimeve në turizëm, një fushë që po lulëzon dekadave të fundit në Shqipëri.

EDI RAMA, KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
“Si Shqipëri jemi në një fazë të re. Është e dukshme për të gjithë që vizitojnë Shqipërinë se Shqipëria është parajsë e turizmit dhe investimeve në turizëm. Edhe gjatë momenteve më të këqija të pandemisë kemi parë rritje të industrisë së turizmit. Në anën tjetër po shohim gjithnjë e më shumë rezultate në sektorin energjetik, që është sektor strategjik për ne”.

Albin Kurti nga ana tjetër foli për fuqinë punëtore moderne dhe të kualifikuar, si aduti kryesor i Kosovës për tërheqjen e investitorëve të huaj.

ALBIN KURTI, KRYEMINISTËR I KOSOVËS
“Në Kosovë kemi fuqi punëtore të talentuar dhe të re në moshë, mosha mesatare e popullsisë në Kosovë është pak mbi 30 vjet. Shumica e rinisë janë fluent në anglisht  dhe shumë prej tyre edhe në gjermanisht. Sektori i teknologjisë kompjuterike është bërë shumë dinamik pasi shumë të rinj po vendosin të studiojnë këtë fushë. Ne si qeveri po u ndihmojmë duke siguruar bursa”.

Presidentja e Bankës Evropiane për Rikonstruim dhe Zhvillim, Odin Reno Baso, porositi liderët e Ballkanit Perëndimor se tani më shumë se kurrë është me rëndësi bashkëpunimi rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, për ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik. /SHENJA/

You may also like