(VIDEO) Lëvizja Besa po shqyrton mundësinë që të dalë nga Qeveria

by admin
Spread the love

Vendimi i KSHZ-së për të përsëritur votimin në një vendvotim në Zhelinë ka bërë që Lëvizja Besa të konsiderojë seriozisht rrëzimin e Qeverisë. Sekretari i Përgjithshëm i Besës Arjanit Hoxha njoftoi sot se partia në ditët në vazhdim do të diskutojë hapat e ardhshëm, por e bëri të qartë se mbizotëron mendimi që shumica aktuale duhet të braktiset. Madje Hoxha tha se pavarësisht vendimit të partisë, ai në asnjë mënyrë nuk do të jetë pjesë e Qeverisë.

Arjanit Hoxha, Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes Besa
“Lëvizja Besa gjatë ditës së sotme, por edhe nesër do të vazhdojë konsultimet brenda partisë për të marrë vendim se si duhet të vazhduar më tutje. Ne vazhdojmë të qëndrojmë në orientimin tonë për një të ardhme evropiane të vendit, me gjitha vlerat e demokracisë që promovon Bashkimi Evropian, por nuk do lejojmë që të jemi në një tavolinë me struktura politike që duan ta shtrembërojnë vullnetin politik të popullit…. Edhe sikur të vendosin organet e partisë që të vazhdojë qeverisja, unë nuk do të jem pjesë e qeverisë”

Por kreu i BDI-së Ali Ahmeti nuk beson se Lëvizja Besa mund ta rrëzojë Qeverinë. Kjo sipas tyre do ta dëmtonte partinë e Kasamit.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së
“Nuk besoj që do të tërhiqet. Nuk e ndihmon asgjë Besën. I shkakton vetëm dëm partisë, por mund të përdoret si një lloj presioni, por koalicioni nuk dëmtohet nga deklarata të tilla por kjo nuk është mirë sepse po ushtrohet presion mbi institucionet që janë të obliguara të zbatojnë ligjin”

VMRO DPMNE nga ana tjetër kërkon zgjedhje të shpejta parlamentare, për shkak se rezultati i zgjedhjeve lokale sipas tyre e dëshmoi se shumica aktuale parlamentare nuk e reflekton shumicën e popullit.

Antonio Milloshoski, deputet i VMRO DPMNE-së
“Për momentin shumica e popullit nuk reflektohet në shumicën në parlament. Prandaj mendojmë se populli e meriton që në zgjedhje, në mënyrë demokratike të përcaktojë se çfarë shumice do të përfaqësohet në Kuvend dhe si pasojë çfarë qeverie do të marrë vendime në të ardhmen”

Por LSDM-ja ende beson se shumica qeveritare është stabile.

Snezhana Taleska, deputete e LSDM-së
“Shumica qeveritare dhe shumica parlamentare janë stabile. Po bisedohet me partnerët po vazhdojnë pas dorëheqjes së kryeministrit Zaev. Por mendoj se kërkesa e VMRO DPMNE-së është joreale dhe mendoj se edhe ata e dijnë këtë sepse nëse do të ishin të sigurt se e kanë shumicën, do të vepronin ndryshe”

Për momentin Lëvizja Besa ka 3 deputetë dhe vendimi eventual për dalje nga qeveria do të prishte balancin mes shumicës dhe opozitës. Përveç Besës, ka zëra se edhe PLD, një tjetër partner koalicioni i LSDM-së, mund të votojë pro zgjedhjeve të reja. /SHENJA/

You may also like