(VIDEO) Kuvendi konstatoi dorëheqjet e zyrtarëve të Lëvizjes Besa

by admin
Spread the love




Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot në fillim të seancës së 54-të, ka konstatuar dorëheqjen e Ministrit të Bujqësisë Arianit Hoxha. Gjithashtu janë konstatuar dorëheqjet e zv/ministrave Arafat Shabani dhe Sedat Sulejmani. Dorëheqjet e tyre vijnë pas vendimit të Lëvizjes Besa për të braktisur Qeverinë, menjëherë pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Përveç konstatimit të dorëheqjeve të ministrave dhe zv/ministrave, Qeveria ka filluar shkarkimin edhe të drejtorëve të emëruar nga Lëvizja Besa. Në seancën e sotme Qeveria shkarkoi drejtorin e Agjencisë për Punësim, Abdush Demiri. Ky post do t’i takojë Bashkimit Demokratik për Integrim. Ditëve në vijim pritet të shkarkohen edhe drejtorët e tjerë nga Lëvizja Besa. Një pjesë të drejtorive që udhëhiqte kjo parti, do t’i kalojnë Alternativës. Alternativa do të marrë edhe drejtori tjera, të cilat udhëhiqeshin nga kuadro të LSDM-së ose BDI-së. Ndër drejtoritë që do të udhëheq Alternativa janë MEPSO, Fondi Pensional, Agjencia për Investime të Huaja, Transportin Hekurudhor dhe të tjera.

Brenda Alternativës aktualisht po zhvillohen bisedime për përzgjedhjen e kuadrove që do të udhëheqin këto drejtori. Edhe pse një pjesë e emrave tashmë po përfliten, vendimin përfundimtar për të gjitha postet do ta marrë Kryesia Qendrore e Alternativës. Menjëherë pasi të marrin miratimin e Kryesisë Qendrore, lista me emrat e drejtorëve do t’i dorëzohet Qeverisë dhe pritet që Qeveria t’i emërojë brenda pak ditëve.  /SHENJA/

 


You may also like