(VIDEO) Kryediplomatja bullgare: Ndryshimet kushtetuese nuk janë kushti i vetëm për Maqedoninë e Veriut

by admin
Spread the love

Amendamentet kushtetuese nuk janë kushti i vetëm që Maqedonia e Veriut në nisë bisedimet me BE-në. Ne gjithashtu kemi një qëndrim shumë të qartë në Asamblenë Kombëtare. Kështu tha për Deutsche Welle-n zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme bullgare, Maria Gabriel.

Ajo thotë se nuk janë vetëm ndryshimet kushtetuese, por edhe Marrëveshja e fqinjësisë së mirë dhe dy protokollet. Thekson se kanë tre instrumente të ndërlidhura, të cilat janë pjesë e të ashtuquajturit kompromis nga korriku i vitit 2022. Për më tepër, thotë se kanë edhe një qëndrim shumë të qartë të Asamblesë Kombëtare.

Gabriel në seancë të komisionit parlamentar për çështjet e Bashkimit Evropian, zonës Shengen dhe Eurozonës, në lidhje se cfarë po ndodh me procesin negociator të Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE tha se nuk ka përparim.

MARIA GABRIEL, MINISTRE E PUNËVE TË JASHTME E BULLGARISË

“Ajo që unë dhe ekipi im insistojmë në të gjitha formatet, ajo që është e rëndësishme për ne, është të shohim – nëse ka vështirësi me ndryshimet kushtetuese, cili është progresi në temat e tjera?  E vërteta është se ne mbajtëm dy takime teknike – një në korrik në Sofje, një në tetor në Shkup – dhe për fat të keq, konstatojmë se nuk ka përparim pas tyre”.

Gabriel potencon se mbetet i rëndësishëm Zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe me vullnet të mirë dhe rezultate konkrete, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për Miqësinë dhe Bashkëpunimin me Bullgarinë. Por, ajo bën të ditur se nevojiten ende përpjekje të mëtejshme të vendosura për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal, si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare.

MARIA GABRIEL, MINISTRE E PUNËVE TË JASHTME E BULLGARISË

“BE-ja u bën thirrje edhe partnerëve që të garantojnë të drejtat e anëtarëve dhe trajtimin e barabartë të pjesëtarëve të pakicave”.

Në kuadër të kësaj të fundit, Gabriel tha se Bullgaria ka shprehur një qëndrim shumë të qartë para gjithë Bashkimit Evropian dhe se mbrojtja e minoriteteve është kriter për fillimin e negociatave, në të njëjtin nivel me kriteret për reformën administrative dhe gjyqësore.

Mesazhe të këtilla vijnë nga Sofja në kohën kur në Shkup po shkëmbehen akuza të ashpra mes qeverisë dhe opozitës për rrugën e bllokuar evropiane të vendit. Për LSDM-në fajtore janë VMRO-DPMNE-ja dhe politikat e saj, ndërsa për opozitën krimi dhe korrupsioni i pushtetit. /SHENJA/

MARKETING



You may also like