(VIDEO) Kovaçevski: Po e avancojmë dialogun me Bullgarinë

by admin
Spread the love




Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se Qeveria e re ka avancuar dialogun me Bullgarinë dhe pret së shpejti rezultate konkrete për tejkalimin e kontestit bilateral. Ai tha se afrimi mes dy shteteve dhe dy shoqërive është zhvilluar paralelisht në shumë fusha dhe me dinamikë të intensifikuar pas marrjes së detyrës së dy qeverive të reja në Shkup dhe Sofje.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Me Bullgarinë kemi hapur një proces të ri bisedimesh, mënyrë të re komunikimi e cila duhet ta rrisë besimin jo vetëm mes ministrave, por edhe mes shoqërive në përgjithësi. U formuan grupe pune të cilat tashmë po tregojnë rezultate, u mbajtën konferenca shkencore mes universiteteve, odat ekonomike po takohen, ndërsa u rritën edhe kuotat e transportit. Marrëdhëniet janë avancuar, niveli zyrtar i komunikimit është avancuar dhe është në nivel të vlerave evropiane”.

Megjithatë sipas Kovaçevskit, në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë njerëz dhe grupe që nuk duan marrëdhënie të mira me Bullgarinë dhe me shtetet e tjera fqinje. Por kriza në Ukrainë, sipas tij, ka dëshmuar se rajoni dhe Evropa duhet të jetë e bashkuar.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Ekzsitojnë gjithmonë grupe më të vegjla dhe individë të margjinalizuar të cilët duan që marrëdhëniet me Bullgarinë të jenë më të këqija dhe axhenda politike e të cilëve bazohet në marrëdhënie të këqija me fqinjët. Unë jam kundër kësaj, Qeveria është kundër, edhe Qeveria e Bullgarisë është kundër. Kështu që vlerësoj se shtetet fqinje duhet të bashkëpunojnë. Sidomos kjo krizë, ky agresion ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dëshmoi se Evropa duhet të jetë e bashkuar dhe e fortë, e kjo sigurisht se fillimisht duhet bërë mes shteteve fqinje”.

Çështja me Bullgarinë po mban peng hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Edhe shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel gjatë vizitës së tij në Shkup tha se vendet duhet ta tejkalojnë këtë kontest me qëllim që të zhbllokohet procesi integrues për Shkupin dhe Tiranën.  /SHENJA/

 

 


You may also like