(VIDEO) Kovaçevski: Duhet shumë punë për ta ç’rrënjosur korrupsionin

by admin
Spread the love




Kryeministri Dimitar Kovaçevski paralajmëroi sot zero tolerancë ndaj korrupsionit në çdo nivel të funksionimit të shtetit. Në tryezën “Kultura e integritetit – Rruga drejt suksesit në luftën kundër korrupsionit”, Kovaçevski tha se faktor kyç në luftimin e korrupsionit është vullneti politik për një luftë të tillë. Megjithatë ai pranoi se situata në vend nuk po lulëzon dhe Maqedonia e Veriut ka shumë punë përpara për të çrrënjosur korrupsionin.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“A jemi afër, jo jemi shumë larg. Para nesh kemi shumë punë, ndërsa kjo punë para se gjithash varet nga përkushtimi i të gjithë resorëve politik përgjegjës në shtet dhe përgjegjësia e të gjithë resorëve profesional në shtet. Ky nuk është veprim i njëhershëm, por vendosja e sistemit ku njerëz me vlera të larta etike dhe morale do të jenë pjesë e udhëheqjes së institucioneve”.

Kovaçevski shtoi se lufta kundër korrupsionit merr shumë mund, resurse dhe punë të përbashkët, por rezultatet do të jenë të dukshme dhe do t’i ndjejë çdo qytetar.

Kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska nga ana tjetër tha se Komisioni po u kushton shumë rëndësi edhe rasteve ku ka konflikt interesi, pasi rastet e tilla janë terren i përshtatshëm për korrupsion. Duke ndjekur rekomandimet e nismës së Këshillit të Evropës kundër korrupsionit, GRECO, Komisioni ka përgatitur edhe një dokument – udhëzim praktik për të zbuluar rastet e konfliktit të interesit.

BILJANA IVANOVSKA, KRYETARE E KOMISIONIT ANTIKORRUPSION
“Rreziqet që mund të dalin nga konflikti i interesit ishin nënvlerësuar më herët dhe ngeleshin nën hijen e rreziqeve të lidhura me korrupsionin. Megjithatë GRECO në raportet e fundit i kushton rëndësi të veçantë dhe na përkujton se ekzistimi i konfliktit të interesit është situatë që ndodh shpesh dhe paraqet terren që çon drejt korrupsionit”.

Ndërkaq Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski theksoi se lufta kundër korrupsionit është një ndër prioritetet në Planin Strategjik për funksionimin e Ministres së Brendshme 2021 – 2023. /SHENJA/

 

 


You may also like