(VIDEO) Komuna e Çairit shlyen vetëm një pjesë të borxhit ndaj ngrohtores

by admin
Spread the love

Komuna e Çairit ka shlyer vetëm  një pjesë të borxhit ndaj Ngrohtores “Shkup-Veri”. Tani prej disa ditësh  banorët e kësaj komune në lagjet Veri dhe Fushë Tophanë kanë mbetur pa ngrohje në mes të dimrit. Të pyetur nga Televizioni SHENJA, autoritetet lokale thanë se ata gjatë ditës së sotshme kanë kryer pagesën e një pjese të borxhit, ndërsa siç shtuan, ata nuk janë arsyeja kryesore, që tani më disa ditë qytetarët e këtyre zonave kanë probleme me ngrohjen qendrore.

 Komuna e Çairit

“Komuna e Çairit sot ka bërë pagesën e një pjese të borxhit, kurse do të bëjmë përpjekje që gjithë pagesën ta bëjmë deri në fund të javës. Megjithatë, duhet të theksojmë se edhe nëse paguhet i gjithë borxhi mjafton vetëm për disa ditë të ketë ngrohje për shkak se ndërmarrja ka problem me rritjen e çmimit të gazit. Pra, ripërsërisim se Komuna e Çairit nuk është shkaku kryesor se përse nuk ka nxemje”

Ndërkaq, nga kompania e ngrohtores disa ditë më parë thanë se për shkak të çmimit të lartë të gazit natyror, janë përballuar me probleme serioze financiare. Për tejkalimin e tyre thonë se duhet të përfshihen të gjitha organet që të mund të arkëtojnë borxhet nga institucionet, por edhe të japin ndihmë financiare. Ngrohtorja i shpreson se problemi do të zgjidhet shpejt dhe banorët do të kenë ngrohje.

Partia maqedonase VMRO-DPMNE ka hedhur akuza se gjysma e Shkupit është pa ngrohje, dhe sipas tyre për këtë fajtor kryesor janë Kovaçevski dhe LSDM.

VMRO-DPMNE

“Qeveria nuk po bën asgjë për të siguruar rezervat e nevojshme të gazit, por edhe për të negociuar çmimet dhe furnizimet kur vendet e rajonit e kanë bërë këtë. Kovaçevski ishte zëvendësministër i Financave në atë qeveri dhe rrjedhimisht përgjegjës direkt”

Ata shtuan se LSDM është e paaftë dhe e la vendin në ndikimin e krizës energjetike në mes të dimrit, ndërsa thonë se nëse nuk mund të zgjidh problemet e qytetarëve, le të shpallë menjëherë zgjedhje të parakohshme, pasi sipas tyre VMRO di të punojë për shtetin.

Linda Ebibi /SHENJA/

 

 

You may also like