(VIDEO) Ish gjykatësja supreme: Ngjarjet në Këshillin Gjyqësor janë anomali

by admin
Spread the love

Ngjarjet në Këshillin Gjyqësor janë anomali, mosrespektim i ligjit dhe mungesë normash morale. Kështu deklaron ish-gjyqtarja supreme Vera Koco. Në  intervistën javore  për Radio Evropa e Lirë ajo thotë se ambasadorja amerikane ka reaguar me të drejtë për  Gjykatën e Apelit dhe arsyetimi i Apelit nuk “mban ujë”. E pyetur për shkarkimin e kryetares së këshillit gjyqësorë Vesna Dameva, ish gjyqtarja  supreme thotë se një gjë e tillë pritej të ndodhte.

VERA KOCO, ISH GJYQTARE SUPREME

“Kjo ka ndodhur në Këshillin Gjyqësor, disi pritej që të ndodhte. Nuk është se kryetarja  Vesna Dameva ka treguar paaftësinë në kryerjen e detyrave të saj, por të menaxhosh një Këshill të tillë, një organ të tillë që duhet të kujdeset për pavarësinë e gjithë gjyqësorit në vendin tonë, është vërtet punë e vështirë dhe e ndërlikuar. Tani kjo që ndodhi është anomali”.

Në lidhje me reagimin e ambasadorës amerikane në vend, Koco thekson se ky reagim është i drejtë, pasi siç thotë ajo,  ambasadorja amerikane  nuk ka ndërhyrë në vlerësimin e rasteve, por thjesht ka shprehur një qëndrim shqetësues – çfarë ndodh me rastet që janë krime të profilit të lartë dhe a janë zgjidhur në kohën e duhur.

VERA KOCO, ISH GJYQTARE SUPREME

“Vendi ynë është nën monitorim, jo ​​vetëm për shkak të qasjes ndaj atyre negociatave të paralajmëruara për hyrjen në BE, por që së fundi është bërë monitorim nga disa ambasada, jo vetëm nga ambasada amerikane: çfarë po bëhet në vend, dhe si po bëhet, sepse kanë edhe shumë projekte që financojnë lidhur me funksionin e gjyqësorit”.

Koco gjithashtu thotë se, çdo gjykatë dhe çdo gjyqtar duhet të veprojë sipas planit, pasi sipas saj, nuk mund të veprohet në mënyrë joprofesionale dhe vullnetare.

Samir Mustafa /SHENJA/

You may also like