(VIDEO) Instituti për Demokraci ka konstatuar lëshime në të gjithë procedurën para lidhjes së kontratës me konsorciumin Bechtel dhe Enka

by admin
Spread the love

Ka lëshime të shumta në të gjithë procedurën para lidhjes së kontratës me konsorciumin Bechtel dhe Enka për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d në Maqedoninë e Veriut, thuhet në studimin e Institutit për Demokraci ”Societas Civilis” të titulluar Integriteti i vendimmarrjes: Dështimet Sistemike në Rastin Bechtel Enka. Lëshimet nisin që në fillim kur lobimi për këtë projekt nga kompania nuk ishte raportuar sipas dispozitave të Ligjit për Lobim. Udhëheqësi i qendrës dhe hulumtuesi i lartë në Institutin për Demokraci, Misha Popoviq, thotë se sipas këtij ligji, të dyja palët, në këtë rast edhe Qeveria edhe kompania, kanë pasur obligim të raportojnë një lobist dhe një raport të tillë nuk ka pasur.

MISHA POPOVIQ , UDHËHEQËS I INSTITUTIT PËR DEMOKRACI ”SOCIETAS CIVILIS”

“Në gjithë këtë procedurë, sistemi i kontrollit të integritetit të vendimmarrjes është i paaftë. Ky sistem është përcaktuar për të anuluar interesat private që do të ndikonin në vendime të tilla. Nuk është bërë as një vlerësim i ndikimit të rregullores, e cila duhet të zbatohet për çdo ligj. Për ligjin që i referohet ndërtimit të korridoreve Bechtel dhe Enka nuk është bërë një vlerësim i tillë, por është ligjërisht i detyrueshëm. Kjo nënkupton përgatitjen e analizave të shumta për ndikimin e këtij ligji në ndryshimet e tjera ligjore. Rregullorja e punës është shkelur edhe në Qeveri edhe në Kuvend. Mekanizmi i kontrollit mbrojtës për marrjen e vendimeve të tilla thjesht nuk u ngrit nga askush. Gjatë bartjes së këtij ligji është keqpërdorur flamuri evropian.

Në këtë është përfshirë edhe presidenti i shtetit, i cili e ka nënshkruar ligjin pa asnjë rezervë dhe nuk ka mundur ta nënshkruajë dekretin duke u bazuar në të gjitha këto shkelje të mëparshme, tha Popoviç.

Për fillimin e ndërtimit të korridoreve deri më tani janë paguar më shumë se 180 milionë euro nga buxheti i Maqedonisë së Veriut për Bechtel dhe Enka, por tani për tani asgjë nuk po ndodh në terren, thanë nga Instituti.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING

UniConverter_20230519143422.gif



You may also like