(VIDEO) Hyn në fuqi vendimi për uljen e marzhës, çmimet mbeten të njëjta

by admin
Spread the love

Çmimi i bukës mbetet 25 dhe 27 denarë, varësisht nga lloji i bukës.

Ndërsa, raftet e zbrazëta gjatë fundjavës, janë bërë qëllimisht nga tregtarët dhe jo nga blerja e qytetarëve. Kështu thotë ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Qëllimi i tyre sipas Bekteshit ka qenë që sot t’i kthejnë në rafte me çmime të reja.

Përndryshe, nga sot hyn në fuqi vendimi për marzhat e tregtarëve me pakicë dhe shumicë. Sipas ministrit, nuk do të ketë rritje drastike të të çmimeve, madje ka ulje të çmimeve të pemëve dhe perimeve.

Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë

“Prodhues të caktuar i kanë rritur çmimet, por përgjithësisht çmimet lëvizin nga 25-30 denarë. Këtë mund ta vërejnë qytetarët dhe të vendosin se ku të blejnë. Sigurisht që ne nuk do të lejojmë që kjo të zgjasë. Sot është vetëm dita e parë, 2-3 ditët e ardhshme të gjitha çmimet do të vendosen sipas vendimit për marzhat. Nuk do të lejojmë që të ketë manipulime, spekulime, tërheqje të rezervave sikur në fundjavë nga tregtarë dhe prodhues të caktuar”.

Po ashtu Bekteshi pranoi se është vërejtur rritja e çmimit të mishit, por sipas tij, tregtarët po manipulojnë duke e paraqitur si mish që është përpunuar në vendin tonë.

Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë

“Tek mishi, është vërejtur se është bërë një rritje e vogël e çmimeve sepse  i paraqesin sikur janë përpunuar në vendin tonë dhe nuk i tregojnë se është mish i freskët. Edhe ato do të kontrollohen dhe do të kthehen në çmimet që janë paraparë në bazë të vendimit”.

Ministria bëri me dije se Inspektorati i Tregut është në terren dhe po kontrollon çmimet. Ndërsa, ju bëri thirrje qytetarëve që nëse shohin rritje të çmimeve të denoncojnë supermarketet tek Inspektorati.

Sipas, ligjit për Tregti parashihet gjobë prej 800-1000 euro për mikro tregtarë, gjobë prej 1600-2000 euro për tregtarë të vegjël, gjobë prej 3000-6000 euro për tregtarë të mesëm si dhe gjobë prej 7000-10 000 euro për tregtarë të mëdhenj.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

You may also like