(VIDEO) “Grupi i Zjarrit” shkon te Ali Ahmeti në Reçicë

by admin
Spread the love

Nuk heqim dorë nga letra e nënshkruar dhe nga kërkesat. Kështu ka deklaruar kryetari i komunë së Sarajit, Blerim Bexheti, pas vizitës së bërë së bashku me degën e Sarajit në Reçicë të Vogël tek kryetari Ali Ahmeti.

Bexheti tha se figura e Ahmetit është e pakontestueshme, andaj edhe kërkesat i drejtohen atij, për t’i zgjidhur ato. Menjëherë pas takimit, Bexheti, në rrjetet sociale postoi një fotografi me kryetarin Ali Ahmeti, duke e quajtur atë “dost”.

“Bashkë me kryetarin dhe dostin tim Ali Ahmeti dhe i palëkundur në qëndrimin tim kundër ekzekutivit”, ka shkruar Bexheti.

Menjëherë pas tyre, në takim kanë ardhur edhe dega e Çairit, e kryesuar nga dyshja Mexhiti-Ganiu.

Kujtojmë se të shtunën “Grupi i Zjarrit”, me një letër të hapur i kërkoi kryetarit të partisë Ali Ahmeti që t’i japë fund asaj që e kanë cilësuar si “sjellje arrogante dhe diletante të Ekzekutivit në krye me Artan Grubin”. Në letrën publike ata thanë se politikat e deritashme kanë shkaktuar pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe të votuesve të partisë.

Nga ana tjetër, kryetari i integristëve, Ali Ahmeti, i pyetur lidhur me kërkesat e “Grupit të Zjarrit”, deklaroi se partia e tij ka ngritur një struktur që mund të funksionojë pa Ali Ahmetin, pa Blerim Bexhetin, pa Musa Xhaferin dhe pa Izet Mexhitin. Ai ka thënë se bëhet fjalë për politika ditore për të cilat vlerëson se nuk janë të pamenaxhueshme.

Enis Murtezi /SHENJA/ 

You may also like