(VIDEO) Dy muaj pas djegies së 14 personave në Tetovë, asnjë përgjegjësi

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Nisma qytetare  “Më mirë për Tetovën” e cila ka dy këshilltarë në Këshillin Komunal të Tetovës, kërkuan përgjegjësi nga autoritetet përkatëse për spitalin modular I cili u dogj para dy muajve, ku humbën jetën 14 persona. Ata akuzojnë politikanët, pasi siç thonë janë në gjendje të japin dorëheqje kur humbin zgjedhjet, por jo kur humbin jetën 14 njerëz. Nga kjo nismë kërkojnë që hetimet të bëhen ça e kursyer askënd, pa marrë parasysh se në çfarë pozite janë qoftë shtetërore ose partiake.

Hamdi Sulemani, nga iniciativa “Më Mirë për Tetovën”

“Tetova dhe opinioni kërkon të dijë deri ku janë hetimet? Përse Prokuroria lëshoi një pjesë të raportit të krim-teknikës pa treguar edhe raportin e ekspertëve gjermanë? A ishte lëshuar ky raport për të shfajësuar përgjegjësit në periudhën parazgjedhore me kërkesë nga Qeveria? Nuk ka ndonjë detaj në lidhje me hetimin e Zyrës së Prokurorit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në lidhje me tenderin dhe spitalet modulare dhe nëse ata i plotësonin standardet themelore të sigurisë, menaxhimit dhe mirëmbajtjes së tyre. Deri sot nuk kemi një përgjigje konkrete se a ka pasur ose jo spitali sistem kundër zjarrit”

Ai shtoi se fakti që në mesin e viktimave ka edhe familjarë të cilët janë detyruar të kujdesen për të afërmit e tyre, është një akt tjetër kriminal për të cilin prokuroria duhet të kërkojë përgjegjësi penale nga udhëheqësia e spitalit.

Prokurorët ende nuk kanë arritur që të identifikojnë fajtorin  për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë, pavarësisht se kanë kaluar dy muaj, ata ende janë në pritje të ekspertizave që i kanë urdhëruar, në mesin e të cilave është edhe ekspertiza e ekspertëve gjerman.

Sipas raportit të krim-teknikës së MPB-së, që e zbardhi Prokuroria, zjarri është shkaktuar nga kablloja-vazhduese në të cilin ka qenë i kyçur defibrilatori.

Deri sot nuk kemi një përgjigje konkrete se a ka pasur ose jo spitali sistem kundër zjarrit. Dëshmitarët që i kanë shpëtuar tmerrit kanë deklaruar se nuk ka pasur, por autoritetet përkatëse ende nuk konfirmojnë diçka të tillë.

Më 8 shtator në orën 21:02 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi se nuk i ka pranuar dorëheqjet dhe se Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa të mbarojë hetimi.

Linda Ebibi /SHENJA/

You may also like