(VIDEO) Digjet Qendra Kulturore Bullgare në Manastir

by admin
Spread the love

Herët në mëngjes i ishtë vënë zjarri objektit të qendrës kulturore bullgare “Ivan Mihajllov”, në Manastir, hapja e së cilës ishte përcjellur me një varg reagimesh. Informacionin e kishte publikuar vetë qendra në rrjetin e saj në facebook dhe kishte bërë thirrje për zbardhje të rastit dhe kapjen e autorëve. Krahas shkrimit, ishin publikuar edhe disa fotografi, ku shihen dyer e dritare të thyera e të djegura.

Qendra Kulturore Ivan Mihajllov-Manastir

“Presim që institucionet në kohë sa më të shkurtë ta zbardhin rastin plotësisht dhe autorët të dalin para drejtësisë”.

Pas publikimit të lajmit, nisën edhe reagimet e para si nga institucionet dhe politikanët vendas, ashtu edhe ato të Bullgarisë.

Nga MPB nuk i thonë shkaqet e zjarrit, vetëm tregojnë që zjarri është lokalizuar dhe se janë ndërmarrë të gjitha veprimet për zbardhjen e rastit.

Ministria e Punëve të Brendshme

“Më datë 04.06.2022 rreth orës GJ.GJ. (49) vjeçar nga Manastiri ka denoncuar në SPB Manastir se ka dëgjuar thyerje të xhamave dhe ka parë se si digjet para hyrja e derës së objektit të Shoqatës së qytetarëve, Qendra Kulturore ‘Ivan Mihajllov’ në Manastir, e lokuar në rrugën Ruzveltova, pas çka e ka paraqitur edhe në Njësinë e Zjarrfikësve të Manastirit”.

Nga Prokuroria Publike informojnë se lidhur me këtë rast janë dhënë urdhra për zbulim të autorëve.

Prokuroria Themelore Publike

“Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike Manastir, së bashku me ekipe të SPB Manastir, mëngjesin e sotëm realizuan ekspertizë në vendin e ngjarjes në objektin e djegur – Qendra për Kulturë ‘Vanço Mihajllov’. Rezultatet fillestare nga ekspertiza udhëzojnë se është djegur pjesa e hyrjes së objektit. Janë marrë gjurmë nga vendi i ngjarjes për të cilët prokurori publik dha urdhër për ekspertizë”.

Përmes një kumtese dërguar mediave, edhe Ministria e Punëve të Jashtme e vendit tonë, e dënon ashpër aktin e djegjes së qendrës bullgare.

Ministria e Punëve të Jashtme

“Ky sulm vandal është një tjetër dëshmi se ka shumë aktorë që janë kundër progresit në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe të ardhmes sonë të përbashkët evropiane. Ky krim nuk është kryer rastësisht në këtë ditë, kur dy vendet do të kenë dialog për të tejkaluar çështjet e hapura në rrugën e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut”.

Aktet e këtilla janë provokim dhe nuk shkojnë në dobi të askujt për përparimin e raporteve me Bullgarinë. Kështu është shprehur presidenti Stevo Pendarovski, në reagimin e tij.

Stevo Pendarovski, president

“Ju bëjë thirrje institucioneve kompetente për hetim të shpejtë dhe detal, që t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’u zbuluar dhe sanksionuar autorët”.

Nënkryetarja bullgare Ilijana Jotova, përmes rrjeteve sociale reagoi, ku thotë se qendra kulturore e djegur “Ivan Mihajllov”, është edhe një provokim shtesë.

Ilijana Jotova, nënkryetare e Bullgarisë

“Vetëm reagimi i shpejtë i institucioneve më qëllim zbulimin e autorëve do të tregojnë se tek fqiu jonë perëndimor respektohen të drejtat e bullgarëve, sikurse të të gjitha etniteteve tjera”.

Një delegacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë i kryesuar nga Ministrja, Teodora Gençovska sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Me këtë rast, ata do të vizitojnë edhe qendrën e djegur.

Emine Ismaili /SHENJA/

You may also like