(VIDEO) Dera e BE-së sërish mbeti e mbyllur për Shkupin dhe Tiranën

by admin
Spread the love

Shkupi dhe Tirana nuk morën datë për fillim të negociatave, as në  Këshillin për Punë të Përgjithshme të Bashkimit Evropian. Këshilli ka përshëndetur progresin e Maqedonisë së Veriut në reforma, por kërkon rezultate të prekshme në tejkalimin e kontesteve me fqinjët. Në prezantimin e konkluzave të Këshillit të BE-së thuhet se Këshilli e mirëpret përcaktimin në vazhdimësi të Maqedonisë së Veriut që ta shtyjë përpara agjenden e reformave për BE, që shtroi rrugën për vendimin për hapjen e negociatave në mars 2020. Poashtu thuhet se Këshilli pret mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut sa më shpejtë, pas miratimit të kornizës negociuese nga Këshilli.

Sa i përket çështjes së hapur me Bullgarinë, e cila po pengon hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut, Brukseli përkujton se zbatimi i Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë është pjesë e pandashme e procesit.

Konkluzat e Këshillit të BE-së

“Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elemente thelbësore të procesit të zgjerimit, si dhe të procesit të Stabilizim-Asociimit. Duke u thirrur në paragrafin dy nga konkluzat e Këshillit në mars 2020, Këshilli përkujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimin e marrëveshjeve bilaterale, përfshi Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë”.

Këshilli i BE-së vlerësoi se përkundër progresit, duhet akoma më shumë punë në sferën e gjyqësorit dhe sundimit të ligjit, ndërsa ka kërkuar rishikimin edhe të legjislaturës zgjedhore.

Edhe pse paraprakisht kryeministri i sapozgjedhur bullgar Kiril Petkov, paralajmëroi qasje të re, tone më konstruktive me Maqedoninë e Veriut, vendi as këtë herë nuk mori datë për nisje të negociatave.

Në intervistën për Financial Times ai tha se do të propozoj procedurë të re në marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, shumë shpejt, me afat shumë të shkurtër prej vetëm 6 muajsh.

Emine Ismaili /SHENJA/

You may also like