(VIDEO) Çmimet e derivateve të naftës vazhdojnë të rriten, ulja e akcizës arrin në Kuvend

by admin
Spread the love

Ndryshimet e nevojshme ligjore për të mundësuar zbatimin e 26 masave antikrizë të Qeverisë, kanë arritur sot në Kuvend. Qeveria kërkon që ndryshimet ligjore të miratohen sa më shpejtë, me procedurë të përshpejtuar, duke marrë parasysh se çmimet e derivateve të naftës po pësojnë rritje drastike thuajse për çdo ditë.

QEVERIA
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka dorëzuar sot në Kuvend ndryshimet e Ligjit për TVSH-në dhe Ligjit për akcizat. Në shkresën e Qeverisë nënvizohet se këto ndryshime duhet të miratohen me procedurë të përshpejtuar që të sigurohet ulja e çmimit me pakicë të derivateve të naftës”.

Por opozita vlerëson se masat e Qeverisë nuk janë zgjidhje e duhur, por zgjidhje gjysmake që nuk i ndihmon qytetarëve. VMRO DPMNE thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte pranimi blanko i propozimit të tyre para dy javësh, sepse masat e Qeverisë nuk dhanë efekt.

ANASTASIJA ILIEVSKA, VMRO DPMNE
“Kjo mund të shihej mbrëmë, kur vetëm 8 orë pas publikimit të masave, karburantet u shtrejtuan në nivel enorm, ndërsa ky është shtrenjtimi i dytë drastik për vetëm dy ditë. Propozimi që e dërgoi VMRO DPMNE para dy javëve është i thjeshtë dhe konkret. Me të çmimi i benzinës do të ulej për 13 denarë, ndërsa për dizelin për 9 denarë. Në vend të kësaj, Qeveria dha një masë të komplikuar. Qeveria duhej t’i parashikonte rrjedhat energjetike botërore dhe të siguronte shtetin me kohë”.

Ngjashëm, edhe Aleanca për Shqiptarët thotë se propozimi i tyre ishte më i miri për zgjidhjen e krizës me çmimet e larta të derivateve të naftës.

ADNAN NEZIRI, ALEANCA PËR SHQIPTARËT
 “I bëjmë thirrje Qeverisë që të pranojë në mënyrë taksative propozimet tona. Akciza për benzinë nga 22 denarë të ulet në 15 denarë, ndërsa ajo e dizellit nga 15 në 9 denarë. Kjo shumë të jetë fikse dhe të mos mvaret nga lëvizjet e bursës. TVSH propozojmë që të ulet nga 18 në 5% dhe jo në 10% sa propozoi Qeveria. Gjithashtu edhe vlera e TVSH-së të jetë e ngrirë maksimalisht në çmimin e 28 shkurtit, që nënkupton të mos llogaritet për rritjet e reja që do të mund të vijnë nga bursa”.

Masat e Qeverisë parashikonin uljen e TVSH-së dhe akcizave për derivatet e naftës. Me këtë masë, sipas Qeverisë, benzina do të ulet për 11.5 denarë ndërsa dizeli për 10 denarë. //SHENJA/

 

You may also like