(VIDEO) Borell: Të hiqet mundësia një vend evropian të vendos veto

by admin
Spread the love




Për të qenë efikas dhe efektiv, Bashkimi Evropian duhet të rishikojë procesin e vendimmarrjes. Nga sistemi i tanishëm ku duhet konsensus dhe secili anëtar mund të përdorë veton, të kalohet në vendimmarrje me shumicë votash. Ky është propozimi edhe i kreut të diplomacisë evropiane Xhosef Borell, pasi disa ditë më parë edhe figura të tjera nga Bashkimi Evropian dolën me tezën e njejtë.

XHOSEF BORELL, PËRFAQËSUES I BE-SË PËR POLITIKË TË JASHTME
“Ndërsa rigjallërohet zgjerimi i BE-së, ne duhet të tregojmë përpjekje të ngjashme për reforma në BE dhe mekanizmat tonë të vendimmarrjes. Një BE e zgjeruar duhet të veprojë lehtësisht. Kjo në të njëjtën kohë nënkupton reduktimin e fushëveprimit të rregullit të unanimitetit në politikën e jashtme dhe në fushat e tjera si dhe marrjen e më shumë vendimeve me shumicë të cilësuar votash”.

Borell e arsyeton këtë qëndrim me faktin se Unionit iu desh një muaj për të miratuar sanksionet ndaj Rusisë, por edhe me Samitin e fundit kur Bullgaria sërish përdori veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe rrjedhimisht edhe Shqipërisë. Borell thekson se politika e zgjerimit nuk është dhuratë për vendet aspirante, por interes i lartë strategjik i vet BE-së.

XHOSEF BORELL, PËRFAQËSUES I BE-SË PËR POLITIKË TË JASHTME
 “Njohja e statusit të nevojshëm për vendet që kanë dëshirë dhe që kanë përmbushur kushtet në Union nuk është një favor apo tolerim i BE-së. Kjo është në interesin tonë strategjik. Është një mënyrë për të strukturuar kontinentin rreth vlerave dhe standardeve të BE-së. Një politikë e besueshme zgjerimi është investim gjeostrategjik për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe rritjen e ekonomike në të gjithë Evropën”.

Borrell nënvizoi gjithashtu se sistemi i deritanishëm i unanimitetit dhe bllokimi i përparimit në procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ka dëshmuar pasoja negative për besueshmërinë dhe efektivitetin e BE-së. /SHENJA/

 

 


You may also like