(VIDEO) Avokati i Shtetit denoncon Arafat Muaremin dhe dy prokurorë

by admin
Spread the love




Avokati i Shtetit ka ngritur kallëzime penale ndaj drejtorit aktual të Policisë Financiare Arafat Muaremi dhe dy prokurorëve të ish Prokurorisë Speciale Artan Ajro dhe Gavrill Bubevski. Emisioni investigative “KOD” në TV Telma publikoi tekstin e kallëzimit penal, sipas të cilit Muaremi, Ajro dhe Bubevski dyshohen për veprat penale “Bashkim kriminal për keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “Punë të papërgjegjshme”, pasi në rastin e PSP-së ndaj kompanisë Transmet dhe Sead Koçan, ata nuk e kanë bërë punën si duhet për konfiskimin e pronave të kompanisë.

AVOKATI I SHTETIT
“Ata bashkë me marrëveshje, të organizuar në grup, i kallëzuari i parë (Artan Ajro) dhe i kallëzuari i dytë (Gavrill Bubevski) në procedurë gjyqësore, ndërsa i kallëzuari i tretë (Arafat Muaremi) në procedurë parahetimore duke e ditur gjendjen pronësore të të kallëzuarit të katërt (Sead Koçan), lejuan dhe nuk i parandaluan pasojat e punës së jashtëligjshme nga i kallëzuari i katërt”.

Sipas arsyetimit të kallëzimit penal, Avokati i Shtetit thotë se prokurorët Artan Ajro dhe Gavrill Bubevski dhe në atë kohë hetuesi Arafat Muaremi kanë pritur 25 ditë dhe nuk kanë dorëzuar kërkesë të re për ngrirjen e pronës së kompanisë Transmet me pronar Sead Koçan. Në ndërkohë, Sead Koçan ka shfrytëzuar këtë zbrazëtirë për të transferuar pronat e kompanisë Transmet në emër të kompanisë TV Nova.

Ngjarja zhvillohet në vitin 2017, kur ndaj Sead Koçan dhe kompanisë Transmet po zhvillohej proces gjyqësor për rastin Trust të Prokurorisë Speciale. Konfiskimi ndaj Transmet vlerësohej rreth 17 milionë euro prona.

Kallëzimi Penal nga Avokati i Shtetit Femi Stafa është dorëzuar në Prokurorinë për Përndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërsa një kopje është dorëzuar edhe në Qeveri.  /SHENJA/


You may also like