(VIDEO) Ambasadori slloven: Zgjidhja arrihet nëse ka dialog të përditshëm

by admin
Spread the love

Gjashtë muaj është një kohë mjaft e gjatë. Unë besoj dhe ne jemi shumë të interesuar që kjo të ndodh sa më parë. Kështu u shpreh ambasadori slloven Millan Predan, duke ju referuar deklaratës së kryeministrit të ri bullgar Kirill Petkov, se mund të arrihet zgjidhje me vendin tonë, për një periudhë 6-mujore. Predan në intervistën për Radio Evropa e Lirë, thotë se nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodh më tej, por shton se vetëm nëse ky dialog do të ishte me të  vërtetë shumë intensiv në nivel ditor, vetëm në atë mënyrë mund të pritet rezultat.

Më tej, ai shton se kryesimi slloven ka bërë gjithçka që ka mundur, por të dyja vendet edhe Bullgaria edhe Maqedonia e Veriut, nuk kanë pasur Qeveri të fuqishme për ta tejkaluar këtë problem.

Millan Predan, ambasadori slloven

“Gjatë  kryesimit tonë prej 6 muajsh në të dyja vendet kishte periudhë parazgjedhore ose zgjedhje. Nuk kishim Qeveri të fuqishme politike në Sofje. Këtu kishte zgjedhje lokale, të cilat në fakt nuk e bënë Qeverinë aktuale të fuqishme, por përkundrazi. Nëse doni të bëni kompromis për çështje të këtilla të vështira, duhet të ketë Qeveri të fuqishme në të dyja palët dhe në këtë rast kjo nuk ishte. Por, besoj se ne gjatë kohës së kryesimit tonë, e kemi përgatitur terrenin që kryesimi francez të realizoj përparim”.

Ambasadori Predan vlerëson se derisa të formohet Qeveria e re në Shkup, përsëri vendi do të humb ca kohë për të gjetur zgjidhje me Bullgarinë.

Millan Predan, ambasadori slloven

“Ashtu siç e përmendëm kemi përsëri një situatë të pafat. Kemi Qeveri në Sofje, por, kemi situatë në këtë vend ku kryeministri do të jap dorëheqje, që donë të thotë se e gjithë Qeveria jep dorëheqje. Do të kemi situatë krejtësisht të re dhe do të jetë e nevojshme më së paku një muaj që të formohet Qeveri e re, që do të thotë se përsëri do të humbin ca kohë”.

Po ashtu ai porositi që është koha që Maqedonia e Veriut të dërgoj ambasador në Bullgari. Edhe pse kjo siç tha nuk do t’i ndihmoj procesit, por mospasja e një ambasadori ka bërë që komunikimi mes këtyre dy vendeve të mos jetë ashtu siç duhet.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

You may also like