(VIDEO) Aleanca për Shqiptarët e vlerëson si provokim incidentin në Çarshi

by admin
Spread the love

Aleanca për Shqiptarët i vlerëson si provokim dhe skenar zhvillimet e djeshme në Çarshinë e Shkupit, kur një pjesë e turmës së protestuesve u përlesh me shqiptarët lokal. Ata fajësojnë institucionet për mosmarrjen e masave për të mbrojtur pronat e shqiptarëve në Çarshi. Shefi i sektorit për Marrëdhënie me Publikun në Aleancën për Shqiptarët, Arben Zeqiri, tha se janë të dëshpëruar nga deklaratat e zv/kryeministrit Artan Grubi, i cili mbron dhunuesit dhe njollos shqiptarët, sipas tij.

ARBEN ZEQIRI, ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër provokimin e mbrëmshëm, skenaret e mbrëmshme që kishin për qëllim sulmin ndaj shqiptarëve të Shkupit, pronës së tyre dhe mungesën e sigurisë nga ana organeve të rendit, që për pasojë pati edhe refleksin e mbrojtjes së pronës nga një qytetar, pronar i një hoteli në të cilin rrezikoheshte edhe jeta e shumë mysafirëve. Edhe më të dëshpëruar jemi nga deklaratat e partive qeveritare LSDM dhe BDI, e në veçanti nga zv/kryeministri Artan Grubi i cili jo vetëm që nuk e ka parë të udhës këto dy ditë të dënojë dhunën ndaj shqiptarëve në Shkup, të angazhojë institucionet në mbrojtje të qytetarëve, por përkundrazi mori të drejtën të del dhe të njollos qytetarët, viktimat”.

Lidhur me shkarkimin e drejtorit të Higjienës Komunale nga Aleanca për Shqiptarët, Zudi Koka, për shkak të pjesëmarrjes së vëllait të tij në incidentin e armatosur mbrëmë, Zeqiri thotë se kryesia do të mblidhet për të diskutuar hapat e mëtejshëm. Për momentin nuk ka një vendim zyrtar nëse vazhdon bashkëpunimi në nivel lokal me kryetaren e Shkupit Danella Arsovska.

ARBEN ZEQIRI, ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Do të analizojmë të gjitha rrethanat për të marrë vendimin më të drejtë, jo vetëm sot për sot, jo vetëm për një pozicion qoftë komunal ose politik, por një vendim i cili do të jetë në dobi në radhë të parë të qytetarëve, pastaj edhe të funksionarëve të Aleancës për Shqiptarët”.

Pas incidentit të djeshëm mes shqiptarëve lokalë dhe protestuesve, mediat publikuan fotografi të dy personave që po mbanin armë. Njëri prej tyre, pronar i hotelit në sheshin Skenderbeu, u arrestua menjëherë pas incidentit, ndërsa kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska shkarkoi vëllain e tij Zudi Koka nga posti i drejtorit të Higjienës Komunale. Familja Koka pretendon se kanë mbrojtur biznesin privat nga protestuesit e dhunshëm të cilët edhe një ditë më parë kanë sulmuar hotelin në pronësinë e tyre. /SHENJA/

You may also like