(VIDEO) Akuza për nxitje të vrasjes së tre personave në Kumanovë

by admin
Spread the love

 

Prokuroria e Kumanovës ka  ngritur aktakuzë ndaj 57 vjeçarit për nxitje të vrasjes së tre personave. I pandehuri akuzohet se ka nxitur me qëllim dy persona për të vrarë tre persona të tjerë. Personi në fjalë dëshironte të hakmerrej për vdekjen e vajzës së tij, e cila humbi jetën në një aksident trafiku teksa po udhëtonte me një automjet si pasagjere. Vrasja e urdhëruar nga i pandehuri do të kryhej ndaj dy personave që ndodheshin në automjet bashkë me vajzën e tij në momentin e aksidentit, si shofer dhe pasagjer, si dhe ndaj babait të shoferit.

PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE

“I akuzuari, ka shfrytëzuar borxhin paraprak që ia ka pas dhënë një personi. Gjegjësisht, i akuzuari i ka huazuar 50.000 euro të dëmtuarit, dhe duke ia shtuar kamatën borxhi është rritur në 80.000 euro. Duke shfrytëzuar faktin se i dëmtuari i ka borxh, i akuzuari gjatë periudhës prill – gusht 2021, në vende të ndryshme të Kumanovës, të dëmtuarit dhe më pas edhe një personi tjetër, gjithashtu i dëmtuar, u ka propozuar që në vend të kthimit të borxhit prej 80.000 euro, borxhin t’ua fal dhe njëkohësisht t’u japë edhe 40.000 euro”.

Më tejë nga Prokuroria bëjnë të ditur se e gjitha kjo ka qenë vetëm pretekst, që të kryehet vrasja.

PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE

“Në kthim të borxhit, ka kërkuar nga të dëmtuarit t’ua marrin jetën tre personave. Pasi ka parë që nuk ndërrojnë mendje nga oferta, i akuzuari në disa raste, përskaj mjeteve të ofruara për t’i kryer vrasjet e kërkuara, ka filluar t’i kërcënojë të dëmtuarit. Të dëmtuarit kanë refuzuar të kryejnë vrasjen dhe rastin e kanë paraqitur në polici”.

Bashkë me aktakuzën, prokurori publik i ka kërkuar gjykatës  shqiptimin e masës së paraburgimit. Këtë kërkesë prokuroria e bazon në atë që rrethanat për të cilat shqiptohet kjo masë, ende janë të pranishme.

Samir Mustafa /SHENJA/

You may also like