VERSAJË – Liderët e BE-së bëjnë thirrje për armëpushim në Ukrainë në fillim të samitit

by admin
Spread the love

VERSAJË, 10 mars /ATSH-DPA/- Liderët e BE-së u takuan sot në Pallatin historik të Versajës pranë Parisit për një samit jozyrtar ku shqyrtuan mënyrat sesi të krijonin kushtet për një armëpushim në Ukrainë.

Duke iu referuar një telefonate një orëshe me presidentin rus Vladimir Putin dhe kancelarin gjerman Scholz më herët gjatë ditës, presidenti francez Emmanuel Macron tha se kushtet për një armëpushim të paraqitur nga lideri i Kremlinit ishin “të papranueshme” për asnjë nga palët e përfshirë në konflikt.

“Pra, pyetja është, a është zoti Putin gati të angazhohet sërish me ndershmëri dhe të propozojë diçka?”, tha Macron përpara se të hynte në sallën e samitit, duke shtuar se do të fliste sërish me Putinin gjatë orëve në vijim.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel përsëriti se liderët e BE-së do të konsultohen për masat që do të ndërmarrin për t’i hapur rrugën një armëpushimi.

“Unë mendoj se e kapëm Rusinë në befasi, sepse ishim të fortë, ishim të bashkuar”, tha Michel.
“Nuk është e mjaftueshme, ne duhet të identifikojmë së bashku hapat e mëtejshëm … në mënyrë që të arrihet një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.

27 liderët e shteteve të BE-së u mblodhën sot pas dy javësh të furishme furnizimi me armë për Ukrainën, duke strehuar gati 2 milionë refugjatë dhe duke nënshkruar tre raunde sanksionesh masive ndaj Rusisë për pushtimin e fqinjit të saj.

Në fillim të samitit, liderët e Gjermanisë dhe Holandës e hodhën poshtë kërkesën e Ukrainës për të hyrë shpejtë në Bashkimin Evropian.

“Nuk ekziston një proces i shpejtë i pranimit, kjo nuk ekziston”, tha kryeministri holandez Mark Rutte.

Scholz iu referua një marrëveshjeje asociimi që BE dhe Ukraina arritën në 2017 për të thelluar lidhjet politike dhe ekonomike.

“Është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të ndjekim marrëveshjet që kemi vendosur në të kaluarën, kjo është rruga që duhet të ndjekim”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar vazhdimisht BE-së që të përshpejtojë kërkesën e anëtarësimit të Kievit në kuadër të pushtimit rus të vendit të tij.

Anëtarësimi në bllok është një proces i gjatë, teknik dhe politikisht i ngarkuar, gjatë të cilit vendet duhet të përputhen me rregullat dhe vlerat e BE-së.

Një projekt-deklaratë e konkluzioneve të samitit ka ndrydhur shpresat e Ukrainës për pranimin e shpejtë në BE.

“Ukraina i përket familjes evropiane”, thuhet në dokument, por pa përmendur nëse do të vazhdohet më tej me aplikimin. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like