Venecia planifikon hyrje me pagesë! Sa do t’i kushtojë çdo vizitori një tur në qytetin lundrues

by admin
Spread the love

Venecia planifikon ta bëjë me pagesë hyrjen për vizitorët ditorë nga viti i ardhshëm, në përpjekje për ta menaxhuar numrin e madh të turistëve që tërhiqen nga kanalet e saj historike, njoftoi të martën këshilli i qytetit.

Pagesa për hyrje në Venecia do të jetë pesë euro për vizitorët ditorë.

Pagesa do të vlejë si eksperiment për 30 ditë vitin e ardhshëm, dhe do të aplikohet në ditët e pushimit dhe fundjavat e verës kur numri i turistëve e arrin kulmin. Të gjithë vizitorët mbi moshën 14-vjeçare duhet të paguajnë hyrjen.

Synimi është për ta gjetur “një baraspeshë mes të drejtave të atyre që jetojnë, studiojnë apo punojnë në Venecia, si dhe atyre të cilët e vizitojnë qytetin”, tha Simone Venturini nga këshilli i turizmit i Venecias.

Ky nuk është vendim për të fituar para, shtoi ai, duke thënë se pagesa do ta mbulojë vetëm koston e administrimit të skemës.

Për datën e saktë të planit dhe se si do të udhëhiqet ai, do të vendoset pas aprovimit përfundimtar të këshillit, i cili pret të ndodhë javën e ardhshme.

Ky plan, për të cilin së pari u njoftua më 2019, u shty fillimisht për shkak të pandemisë së COVID-19, si pasojë e të cilës munguan turistët, e më vonë për shkak të arsyeve teknike dhe procedurale.

Vizitorët, ndërkohë, i janë kthyer bujshëm Venecias, me të huajt që janë duke e mbizotëruar popullatën vendore prej rreth 50 mijë banorëve, duke i stërmbushur rrugicat e saj të ngushta.

Turizmi i tepruar i ka shkaktuar shpesh telashe qytetit të brishtë lagunë.

Në korrik, ekspertët e UNESCO-s propozuan që Venecia dhe lagunat e saj të shtohen në listën e objekteve kulturore të rrezikuara, duke thënë se Italia nuk ka bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur qytetin nga ndikimi i ndryshimit klimatik dhe turizmi i madh./REL