Vendi me vetëm një ushtar në Kosovë në kuadër të NATO-s – Shqip

by admin
Spread the love

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kërkuar nga Joe Biden që të përdorë ndikimin e Uashingtonit për të ndihmuar Kosovën të anëtarësohet në NATO.

Në raportin vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s thuhet se në Kosovë janë 3770 ushtarë të NATO-s.

Trupa nga 28 vende anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, siç raportohet, janë vendosur në Kosovë në kuadër të një misioni paqeruajtës.

Sipas të dhënave zyrtare të KFOR-it, Italia është shteti anëtar me më së shumti trupa në Kosovë (638). Pas Italisë vijnë Shtetet e Bashkuara, me 635 ushtarë.

Vendin e radhës pas SHBA-së për nga numri i trupave të pranishme në territorin e Kosovës e zë Hungaria me 469 ushtarë.

Ndërsa në aspektin rajonal, kuadër të misionit paqeruajtës në Kosovë, Shqipëria ka aty 25 ushtarë, Maqedonia e Veriut ka 64 ushtarë, ndërsa vendi që ka vetëm një ushtar është Mali i Zi.

Uashingtoni, aleati kryesor i Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani së fundi i kërkoi presidentit amerikan Joe Biden që të përdorë ndikimin e Uashingtonit në NATO dhe të ndihmojë Kosovën të bashkohet me Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Në një letër të datës 10 mars drejtuar Biden-it, në të cilën Reuters dhe AP kishin akses, Osmani tha se në dritën e pushtimit rus të Ukrainës, anëtarësimi në NATO është prioriteti i saj kryesor kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë vendimtar. Ne shprehim besimin dhe pritjen tonë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përdorin lidershipin dhe ndikimin e tyre për të mbështetur dhe nisur në mënyrë aktive një proces gjithëpërfshirës të anëtarësimit të Kosovës në NATO”, ka shkruar Osmani.

“Ne jemi të ekspozuar ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të minuar Kosovën dhe destabilizuar të gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidentja e Kosovës në një letër drejtuar presidentit amerikan.

Uashingtoni ka qenë aleati kryesor i Kosovës, si politikisht ashtu edhe financiarisht, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Reuters vlerëson se procesi i anëtarësimit të Kosovës në aleancë mund të jetë i ndërlikuar, duke pasur parasysh se katër anëtarë të NATO-s – Rumania, Spanja, Greqia dhe Sllovakia – nuk e njohin pavarësinë e saj. /tesheshi.com/

You may also like