VARSHAVË – Presidenti polak vlerëson sanksionet amerikane ndaj Rusisë

by admin
Spread the love

VARSHAVË, 10 mars /ATSH-PAP/- SHBA-ja është një lider në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, tha presidenti polak, Andrzej Duda pas një takimi me zëvendëspresidenten amerikane Kamala Harris.

Presidenti polak falënderoi presidentin, zëvendëspresidentin dhe Kongresin amerikan për vendosmërinë e tyre në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Për sa i përket sanksioneve, Shtetet e Bashkuara janë pararojë absolute dhe nuk gabojnë, sanksionet po funksionojnë”, tha sot Duda në një konferencë të përbashkët për shtyp me Harris.

Duda falënderoi gjithashtu SHBA-në për mbështetjen e saj ushtarake dhe ndihmën humanitare për Ukrainën në luftën e vendit kundër Rusisë.

Ai gjithashtu akuzoi ushtrinë ruse për kryerjen e krimeve të luftës në Ukrainë.

“Trupat ruse po kryejnë agresion barbar atje, duke vrarë njerëz të pafajshëm, civilë, duke bombarduar klinikat e maternitetit, ku gratë që do të lindin po nxirren me barela”, tha Duda.

“Është një kënaqësi e madhe për ne të gjithë në Poloni të shohim zëvendëspresidenten e SHBA-së Kamala Harris këtu me ne në Varshavë, në vendin tonë, duke dëshmuar për forcën dhe thellësinë e lidhjeve aleate, duke treguar angazhimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për sigurinë e krahut lindor të NATO-s dhe Evropës në tërësi”, shtoi Duda.

“Dëshiroj të theksoj se nuk ka dyshime se ne qëndrojmë pranë Ukrainës së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s, si dhe gjithë botën e lirë dhe të drejtë”, tha Duda. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like