VARSHAVË – Polonia publikon detaje të dëmshpërblimit trilionësh që i kërkon Gjermanisë

by admin
Spread the love

VARSHAVË, 28 tetor /ATSH-PAP/ – Qeveria polake ka publikuar detajet e një note diplomatike që i ka dërguar Gjermanisë, ku i kërkon 1,32 trilionë euro si dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Nota diplomatike u dërgua në fillim të tetorit, por përmbajtja e saj nuk u bë publike.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme polake, Lukasz Jasina dha një njoftim për shtyp lidhur me notën diplomatike.

Sipas njoftimit, Polonia i kërkon Gjermanisë një dëmshpërblim me vlerë 1,32 trilionë euro, e barabartë me humbjet dhe dëmet e shkaktuara gjatë pushtimit nazist të Polonisë.

Nota diplomatike gjithashtu kërkon kthimin e sendeve kulturore të grabitura Polonisë, të cilat tani ndodhen në Gjermani.

Polonia i ka bërë thirrje gjithashtu Gjermanisë që të rehabilitojë plotësisht aktivistët e vrarë të pakicës polake të paraluftës në Gjermani dhe të kompensojë humbjet që u janë shkaktuar organizatave polake të diasporës në Gjermani.

Për më tepër, Varshava ka kërkuar një rregullim sistematik të statusit të qytetarëve polakë dhe shtetasve me origjinë polake që jetojnë në Gjermani duke rivendosur statusin e tyre të pakicës kombëtare.

Polonia kërkon gjithashtu bashkëpunimin e duhur në përkujtimin e viktimave polake të Luftës së Dytë Botërore dhe pret që Gjermania të ndërmarrë veprime efikase në mënyrë që t’i paraqesë shoqërisë gjermane imazhin e vërtetë të luftës dhe pasojat e saj, kryesisht dëmin që i është shkaktuar Polonisë dhe polakëve.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like