Uzuni: Më ka folur Manaj për Granadan, jam këtu për gola e asiste

by admin
Spread the love

Myrto Uzuni ka debutuar në LaLiga, kundër Real Madrid dhe pati një mundësi të mirë për të shënuar golin e parë për Granada. Beratasi sot është prezantuar para mediave dhe e ka nisur me një falënderim.

“Së pari dua të falënderoj të gjithë ata në klub që besuan tek unë dhe më sollën këtu. Sigurisht falënderoj familjen time dhe menaxherin tim, Franci Bode. Jam gati për objektiva të reja dhe për të ndihmuar në arritjen e qëllimeve të klubit”.

“Kam ardhur në një nga ligat më të forta në botë. Ekipin e Granada e njoh nga vera e shkuar, kur luajtën kundër Teutës. Këtu ka luajtur edhe miku im, Rey Manaj, ndaj di shumë gjëra për këtë klub”.

“Për mua është një ëndërr e realizuar të luaja në ‘Santiago Bernabeu’. Për mua e rëndësishme është që luajtëm mirë dhe duhet të vazhdojmë kështu, të luajmë si grup. Rezultatet e mira më pas do të vijnë”.

“Sigurisht që unë dua gjithmonë të shënoj gola. Do përpiqem të realizoj në ndeshjet e tjera. Me Realin u mundova të shënoj, por nuk ia dola”.

“Diferenca mes kampionateve? Normalisht ndryshon gjithçka, e thashë edhe më parë që LaLiga është nga më të mirat liga në botë. Ndryshon shpejtësia, kualiteti i lojtarëve, por e ndjej veten gati për këtë sfidë dhe do të jap më të mirën time”.

“Sa i takon ndeshjes së parë, kisha besim te vetja ime dhe kam gjithmonë besim. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu. Kam besuar që në momentin e parë që kam nisur të luaj futboll. Kemi lojtarë shumë të mirë këtu, nuk e krahasoj veten me asnjë prej tyre. Kam ardhur këtu të bëj punën time dhe të jap maksimumin tim”.

“Në momentin e parë që erdha këtu, kam hasur në njerëz shumë mikpritës. Të gjithë më kanë ndihmuar të përshtatem. Të gjithë janë pozitivë me mua dhe ndihem shumë mirë këtu”.

“Mentaliteti im është që të mos dorëzohem, të jap maksimumin, të luftoj për këtë fanellë. Kjo është moto ime. Do jap maksimumin për klubin, për të arritur objektivat. Dua të shënoj sa më shumë gola. Për këtë jam këtu, të shënoj gola e të jap asiste”. / oversport.tv

You may also like